STOLISJA MAGJIKE E TË DUKSHMES DHE TË PADUKSHMES NË PROZËN E MURAKAMIT
Nga Remzi Salihu
1.
Haruki Murakami u lind më 1949 në Kyoto të Japonisë. Fëmijërinë e kaloi në një vend afër qytetit Kobe. Të dy prindërit e tij kanë ligjëruar Letërsinë japoneze, kurse Murakami shijen e tij e ka kultivuar e përsosur kryesisht nga autorët e njohur që shkruajnë në botën letrare jashtë Japoinisë. Pos letërsisë ai adhuron edhe muzikën perëndimore, e cila shihet qartë nëpër shumë veprat e tij të shkruara më vonë. Nga viti 1968 studioi Shkencat e teatrit dhe shkrimin e skenarëve. Aty njoftohet edhe me gruan e tij Yoko. Pas mbarimit të studimeve më 1975 lëshoi Universitetin-Vaseda të Tokios, pothuajse shtatë vite ishte pronar i një Xhes-bari ‘’Peter cat’’. Pas një përvoje të gjatë në këtë punë dhe kontakti me shumë njerëz që vizitonin lokalin e tij, filloi të shkruaj romane, me të cilat shkrime u bë edhe i famshëm. Romanet e tij të para janë ‘’Hear the wind sing’’ dhe ‘’Pinball’’ 1979-1980‘’. Pas publikimit dhe afirmimit të këtyre veprave, filloi të vizitojë shumë vende jashtë Japonisë. Kështu pas vitit 1984 vizitoi Italinë, Greqinë dhe më vonë Amerikën. Nëpër këto vende shërbeu si profesor mysafir. Pas viti 2001 kthehet të jetojë në Oiso të Japonisë. Për punën e tij të dallueshme, kreative, në fushën e letërsisë shpërblehet shumë herë. Ai morri edhe shpërblimin e madh për letërsi ‘’Yomiuri’’, madje shpërblimin ‘’Franc Kafka’’ në Pragë, si dhe ‘’Çmimin letrar të Jerusalemit’’. Murakami, tanimë, është përfolur edhe për çmimin më të lartë në botë, ‘’Nobel’’. Murakami është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Tani jeton herë në Amerikë e herë në Japoni. Të gjitha romanet e Murakamit i përshkon një frymë e zhdërvjelltë magjike. Gjuhësisht romanet e tij rrezatojnë një elegancë sintaksore të rrjedhshme, jo të komplikuar, që në fakt flet për mjeshtërinë e kultivuar kreative të autorit, për ta bërë rrëfimin sa më tërheqës e më bindës për lexuesin. Krijon situata të ndryshme rrëfimtare. Përshkrimet e tij janë të jetë interesante. Në fakt ky shkrimtar bënë një prurje artistike stilistike të kapshme për të gjithë kategoritë e lexuesve. Për kundër paradokseve që ka autori për ngjarjet që përjetojnë personazhet e tij, ai, lexuesve u shtron në shijim prozaik, një model shkrimi atraktiv kreativiteti të botës moderne. Mund të themi se autori në fjalë duke përmbushur kritere estetike të rrëfimit postmodern, në ndërtimin e veprës së tij, ngjesh edhe një mundësi estetike surrealiste të përzgjedhur, me një logjikë e etikë të plotë domethëniesh e ngjarjesh reale, të bazuar nga romanet tradicionale, e që në brendinë e tyre rrëfimtare kanë normat udhërrëfyese klasike, për ta njohur më mirë realitetin dhe botën që na rrethon. Arti i të padukshmes bëhet i dukshëm. shkrimtari bën me mjeshtëri kompozimin e fabulës për ta vazhduar rrëfimin më tej. Po në strukturën e romaneve të tij nuk mbetet anësh as edhe përshkrimi realist dhe surrealist i ngjarjeve.
2.
Romani ‘’E dashura ime Sputnik’’,(Sputnik Sweetheart) i botuar më 1999 në Japoni dhe gjermanisht i përkthyer më 2002 nga Ursulla Grafe, kurse në shqip është përkthyer më 2008, nga Brunilda Zajmi, e cila me kujdesin e përkthyesit të përgjegjshëm, ka ditur t’ia rruaj veprës së Murakamit veçantinë letrare dhe sintaksën gjuhësore të kuptueshme në shqip, si dhe ta përçojë natyrshëm tension e ngritur dhe të rrjedhshëm rrëfimtar, nëpër detaje ngjarjesh të komplikuar, deri në fund të veprës. Ka ndonjë lëshim të vogël teknik, apo logjik në formulimin fjalisë gjatë të përkthyerit, por këtë rrallëkush mund ta hetojë nga lexuesit e rëndomtë, po qese nuk e bënë krahasimin e veprës në dy gjuhë e më tepër. Një rast i këtillë është edhe ky lëshim logjik, që mua më duket më tepër si vërejtje subjektive, kur në faqen nëntë lexojmë fjalinë: ‘’krahasuar me këtë, të studiosh letërsi në një universitet privat, është si t’i ngulësh dhëmbët fundit të hidhur të një kastraveci’’, unë mendojë se fjalia e fundit mund të ishte më mirë kështu:’’është si t’i ngulësh dhëmbët në fundin e hidhur të një kastraveci’’. Kjo vërejtje nuk e di pse më ‘’vrau veshin’’ gjatë të lexuarit, por, megjithatë, përkthimi në përgjithësi është shumë i mirë.
Në roman shtjellohen shumë motive dhe pikëpamje të pranueshme teorike letrare, që janë të lidhura në rrëfim me individin dhe shoqërinë në jetën bashkëkohore. Jeta urbane pos dinamikës së saj që përjeton me lëvizjen e lirë të njeriut dhe mallrave, ajo në vete bart edhe tjetërsimin e njeriut, të të riut, në rrethin ku jeton. Në tekst jepet një metaforë misteri njerëzorë, që lë të kuptojmë brendinë e ndjenjës së fshehtë të individit, si qenie ekzistuese e jetës. Narratori, në këtë roman, e shëtitë lexuesin nëpër sprova reale e ëndërrimtare të çuditshme jetësore, dhe këto sprova, tanimë, të duket se janë ngjarje që mund t’i ndodhin gjithsecilit në jetë. Veprimet bëhen nëpër shumë vende e shtete, personazhet e tij dinë ta luajnë rolin e përgjithësuar të ambientit ku gjenden. Dramaciteti u përshtatet rrethanave ekzistuese të atyre vendeve ku zhvillohet ngjarja. Romani gërsheton në vete realizmin dhe fantastiken, kryesisht, duke sjellë në objektiv pasqyrimi ngjarjen e përjetuar, për historinë e Sumires dhe Miut, por pa hamendje të dyshimtë në këtë segment kuptimi, autori të njëjtën gjë e bën edhe me personazhet tjera që veprojnë në këtë roman, si plotësuese dhe, futë ndodhi tjera intertekstuale, pa humbur mesazhin bazë të qëllimit edukativ teorik, duke bërë me kujdes në tekst një përmbushje motivesh tjera anësore, gjegjësisht për ta plotësuar vëmendshëm temën kryesore. Me një rrotullim artistik të bindshëm fantastik e kreativ, e shpie rrëfimin në universin e konsumit modern. Veprimi i tij i stolisjes magjike është gjysmë i jashtëm e gjysmë i brendshëm dhe jep segmente artistike që të kuptojmë dukshëm shkëlqimin e ndërtimit tërësor të vlerës shtjelluese, ndërmjet realizmit dhe metafiksionit të trupëzuar në një mbarështim stilistik spontan tërheqës, që në rrjedhën e ngjarjes së kapshme bëhet shkak fantastik, i rrëfimit mjeshtëror, për të sjellë bindshëm në veprim kreativ zhvillimin tipik të jetës urbane të kohës. E para është Sumria, një vajzë e re pasiononte, romantike, që pi shumë cigare, pak sa kaotike me veprimet e saja në shtëpi, por adhuruese e flaktë e shkrimtarëve, deri në ekstremitet e përkushtuar pas leximit, duke pretenduar që edhe ajo me çdo kusht, një ditë, të bëhet në jetë një shkrimtare e njohur. Sumria me veprimet e saja donte të emitonte personazhet e Xhek Kerouakut. Nga ky pasion ekstrem i përkushtuar njëanshëm, ajo, do ta braktis edhe shkollën e saj të përzgjedhur, private, gjoja se nuk ka nivelin e duhur të edukimi për t’i përmbushur kërkesat e saja të diturisë dhe qëllimit. Ajo nuk kishte kurrgjë tjetër të qëndisur në mendjen e saj, pos leximit të romaneve të adhuruara. Për të nuk ka vlerë asgjë jashtë autorëve të saj të preferuar, madje as puna e përditshme nuk kishte detyrimin e duhur të interesit për ngritjen e standardit të saj jetësor, bile ajo jetonte shumë thjeshtë dhe nuk kujdesej aq sa duhet edhe për trupin e saj, para kërkesës së shtytjes mendore, të sofistikuar e të përligjur njëanshëm, në orientim të fiksuar, që vetëm e vetëm të merret me letërsi. Vishej thjeshtë, nuk e adhuronte luksin, nuk donte pispillosjen, nga ndonjëherë me flokët e saja të pa krehura dhe e pa shminkuar në fytyrë, shëmbëllente si ndonjë hipi, që me vrazhdësi natyrore rebelonte kohën dhe gjërat përreth. Ajo adhuronte një jetë të thjeshtë e të egër. Tjetra është një personazh i adhuruar autorit, që karakterin e saj e ka të ndërtuar nga përvoja e jetës. Ajo është Miu, një grua e pasur materialisht e fortë, biznesmene dhe e sprovuar shumë nga ndodhitë befasuese të jetës së vrullshme. Ajo udhëhiqte një firmë të suksesshme, të trashëguar nga i ati. Edhe ajo është një pasiononte e artit, por e muzikës klasike, të cilën e kishte filluar ta studiojë shumë herët jashtë vendit, por nuk e kreu kurrë atë. Edhe kjo do ta braktis shkollën, pas një ngjarje të tmerrshme që përjetoi jashtë vendit, në një qytet të vogël të Zvicrës. Pas vdekjes së babait të saj, që ishte me prejardhje koreane, u detyrua të marrë në shërbim të mëtejmë firmën e tij. Aty ajo do të veproj suksesshëm, bashkë me burrin e saj, i cili ishte vetëm si një partner i këndshëm, shërbyes në punët e firmës së babait. Martesa e tyre nuk kishte ndonjë lidhje të fortë intime, seksuale, por shërbente pranueshëm si një dashuri platonike, pa i penguar njëri tjetrit në aktivitete të shumta private. Sumira dhe Miu do të njoftohen në një dasmë të kushërirës së saj. Meqë Sumira nuk kishte një punë të rregullt, punonte ‘’part-time’’, por pas bindjes së saj, më në fund, do të pranoj të punësohet në firmën e Miut. Këto dy femra do bashkëveprojnë dhe bashkudhëtojnë në rrugëtimin jetësorë të përshtatur.
Misteri i dualizmit të brendshëm njerëzor
3.
Për ta kuptuar tërësisht individin, si qenie më e përsosur ekzistencë natyrore, shkrimtari Haruki Murakami, gjatë të rrëfyerit të romanit ‘’E dashura ime Sputnik’’, na fut në një mister të thellë psikologjik të individit dhe të zhvillimit të tij në rrethin shoqëror. Ajo thellësi kuptimi është bota e brendshme ëndërrimtare sureale e njeriut, ku gërshetohet realja me relativizmin. Ai kap segmente individuale të trupit të njeriut, për të shpaluar një fenomen të pranishëm që ekziston si ‘’bashkudhëtar’’, në vete i pa arsyeshëm, nga kundërshtitë intime nëpër të gjitha rrjedhat e kohës. Çka e lidh individin njëri me tjetrin? Cila është ajo marrëdhënia që afron ose largon njeriun nëpër situatat caktuara jetësore? Te vet qenia njerëzore bashkëjetojnë dy gjëra të mundshme. Ajo që duket dhe ajo e padukshmja që jeton e strehuar brenda trupit dhe mendjes së individit. Dashuria dhe urrejtja, njohja dhe mosnjohja e kurmit të tjetrit, janë ca fenomene dilemash kundërshtuese që afrojnë ose largojnë qenien nga veprimet e tyre në jetë.
Afria e këtyre dy femrave, në romanin ‘’E dashura ime Sputnik’’, shëmbëllen karaktere të shumta tipizuese, që kanë disa veti të brendshme të njëjta, e të pranueshme. Në veprim e sipër del ana psikologjike e këtyre dy qenieve të përafërta, që përbënin dualizmin e brendshëm, të preferuar intim, gjysma e personalitetit të njërës dhe gjysma pjesë e personalitetit të tjetrës, krijonin harmoninë tërësore të individit të përshtatjes shoqërore e njerëzore. Njëra pjesë dhe pjesa tjetër, si do të shihet nga kjo afri e ardhur spontane, tek këto dy femra, që janë ndryshe nga ndërtimi trupor e mendor, por që durojnë njëra tjetrën, si qenie, në bashkë udhëtim dhe, me çdo kusht, që do ta sajojnë afrinë e durimit të interesit të përgjithshëm. Më vonë kjo afri e pranueshme, tolerante, do të ngjallë tek Sumira dëshirën e vrullshme erotike ndaj pronares së vet. Dhe kështu pas një udhëtimi të përbashkët, turneu, me punë nëpër Francë, Itali dhe, më në fund do të vendosen për pushim në një ujdhesë të Greqisë, ku Sumira atje edhe do të humbet pa gjurmë. Dilema e pa arsyetuar e subkoshiencës ndërpersonale përkufizon erotikën e fshehur alternative, futë individin në kërkim të lumturisë së imagjinuar deri në mister të çuditshëm . Konflikti gjatë këtij udhëtimi do të bëhet edhe më dinamik, në momentin kur do të vihen në spikamë të gjitha mundësitë psikologjike të personazheve, për ta njohur individin nëpër rrjedhat e zhvillimit jetësor. Gjatë rrëfimit të këtij romani ndeshim një stil të kapshëm surrealist, ëndërrimtar, të ngjyrosur me pop kulturë të kohës. Aty lidhet nyje bota perëndimore me atë Japoneze konservative. Por nuk mbetet pa u veçuar edhe ëndrra rinore e këtyre personazheve, ajo intimja e theksuar dhe përgjithësuar, e që si e tillë që është, mund të vërehet edhe në çdo vend tjetër të botës.
Struktura letrare e këtij romani shpalon mjeshtërinë rrëfyese postmoderne. Jep detaje të ndërlikuara dramatike të personazheve. Narratori K, që brenda këtij personazhi fshihet vet autori, di të hyjë në konflikt të rrjedhshëm. Ai di t’i ndërlidh me mjeshtëri të gjitha ngjarjet që ndodhin për rreth tij. Nga temat e vogla bën shtjellim kreativ të madh. Krijon komunikim spontan ndërmjet personazheve dhe lexuesin e mban gjithnjë në tension e provokim të vazhdueshëm gjatë leximit. Romani nuk ka ndonjë leksik të pasur të shprehjes së komplikuar gjuhësore, poetike, por mënyra e thjeshtë e rrëfimit të bënë për vete, të ngjall emocion dhe kërshëri ekuivalente me të gjitha ngjarjet e veta intime, që posedon në jetë vet lexuesi. Është roman që i përshtatet çdo kategorie e moshe. Kjo klimë rrëfyese e veçantë, posaçërisht, të mbath me energji tërheqëse prej fillimit deri në fund të romanit. Të futë në mendime alternative, për të kërkuar zgjidhje më të mirë për personazhet. Meqë romani përshkruan rrjedhshëm shoqërinë japoneze ndërmjet narratorit K, i cili rrëfen në vetën e parë ngjarjen e përjetuar, për veten dhe Sumiren, e cila për nga mënyra e jetesës që bënë, të duket si e pa organizuar sa duhet, por që me çdo kusht tenton të bëhet një shkrimtare. Megjithatë përpjeke të vazhdueshme, të pazakonshme e të pa kursyer, ajo, nuk arrin të përfundojë tërësisht asnjë roman të saj të nisur. Zhduket pa gjurmë, duke i lënë edhe dorëshkrimet e pa përfunduara, ashtu siç ishte edhe dashuria e saj e komplikuar. Por ato dorëshkrime do të jenë, më vonë për ne si shteg, apo model psikologjik nxitës, për ta kuptuar vet personazhin dhe veprën në tërësi, se në çfarë ndjenjash shpirtërore e psikologjike noton njeriu nëpër dallgët e detit të quajtur jetë e lirë. Nëpër këto batica e zbatica shpirtërore do shpalohet pjesa erotike, e padukshme e çdo individi që vepron thellë në misterin e vet të brendshëm. Do të shfletohet kuptueshëm brendësia e kërkesave të ndjeshme, individuale, kundrejt tjetrit në rrugëtim e sipër. Brenda këtyre personazheve dalin mesazhe të shumta, edukative, që janë të pranueshme dhe të pa pranueshme për njeriun e kohës, si qenie politike ekzistuese. Morali dhe amoraliteti duken brenda veprimit të tyre nëpër situata të ndryshme konflikti. Personazhi K. Dashurohet marrëzisht tek Sumirja, por ajo në asnjë mënyrë nuk shpreh ndonjë ndjenjë trupore për një dashuri të tillë seksuale të theksuar nga një mashkull, antipod i ndjenjës intime të saj të brendshme. Mes tyre duket se imponohet më tepër një dashuri platonike, ajo e do atë si njeri të ditshëm dhe të këndshëm në biseda, që është i përshtatshëm në çdo kohë, kryesisht për t’iu gjetur njëri tjetrit në kohë të ndryshme shoqërimi, për konsultime profesionale e jetësore, si për të mirë ashtu edhe për të keq. Por pas gjithë kësaj afrie e miqësie, të ndërsjellë, nuk ndizet ndonjë xixë ‘’tornadoje’’, dashurie intime e Sumries, ndaj këtij buri të ri, mësues, që ishte vetëm tri vite më i vjetër se ajo. E që në vete nuk e kuptonte këtë absurditet dashurie të pa kuptueshme. Narratori K. ka edhe kontakte tjera erotike me femra. Njëra prej tyre është një grua e martuar, gjegjësisht e ëma e një nxënësi të vet, i quajtur Shinichi Nimura e që shokët e klasës e thirrin Karrota. Me të ëmën e këtij djaloshi këmbente çaste erotike të fshehta. Kontakti lidhjes së tyre është vetëm ana seksuale. Këtë femër personazhi K. nuk e ndjente dhe ëndërronte me pasion si Sumrien. Ndjenja e tij reflektonte një lidhje të nevojshme, që pasqyronte vetëm përvojë seksuale. Marrëdhëniet e fshehta erotike me këtë grua, do të vënë më tej në spikamë sprove pjesën edukative e didaktike të narratorit, bile edhe atëherë kur vihet në situatë të vështirë, për të vazhduar më tej me dyshim dashurinë e fshehtë, ai heq dorë nga ai veprim erotik jo i kuptueshëm, i pa arsyetuar sa duhet në vete, për shkak të shqetësimit dhe devijimit të nxënësit tij. Kurse për Sumrien personazhi K. bënte çmos për ta futur këtë vajzë të re në shtratin e imagjinatës të tij të realët e të vërtetë seksuale. Ai ëndërronte shumë për këtë vajzë rebele. Ajo ishte fantazia absurde e tij e preferuar. Çdo tentim për ta afruar ëndrrën e tij intime në ndjenjë reale, në këtë aspekt të flertimit erotik të investuar, ishte i pasuksesshëm dhe mbetet në kujtesë vetëm një ëndërr pasioni i pa realizuar. Por përkundrejt kësaj ndjenje të pa realizuar, për herë të parë Sumirja, në moshën 22 vjeçare, dashurohet në një femër, gjegjësisht, me pronaren e saj, Miun. Një grua e cila nga babai kishte prejardhje koreane. Ajo ngjallte emocione të mëdha dhe eksitim të hatashëm në ndjenjat e saja erotike. Aroma dhe trupi i saj, para dhe prapa e bënë të përhumbur këtë vajzë të veçantë, me ndjenja e veprime të tjetërsuara. Ishte diçka e brendshme që i lidhte këto dy femra njëra me tjetrën. Afria e tyre u bë në mënyrë spontane, ku Sumria do t’i shërbej pronares së vet, si sekretare private, që pastaj do ta shoqërojë çdo kund dhe në harmoni të përhershme, si bashkudhëtare, deri në zhdukjen e saj, pa gjurmë, në një ujdhesë pushimi, në Greqi. Aty edhe do të shpalohet vrulli brendshëm erotik i Sumires, për Miun, e cila në këtë akt erotik do të do shëmbëllej, si frigide, e ftohë, gjatë një mbrëmjeje intime të imponuar, në lojën e gjatë erotike, të asaj nate të vardisur seksuale të Sumries. Miu mundohet t’i ndihmojë kësaj vajze të re ta kapërcej këtë makth ëndërrimtar psikik, për ta tejkaluar vajzërinë, duke lejuar atë të bëj çmos me trupin e saj të ç’veshur e të ftohë erotik nëpër errësirë. Nga ky zhgënjim kontakti të ftohë, Sumria do të largohet nga vikend shtëpiza pa gjurmë, mu në një vend piktoresk afër ujdhesës Rodos. Ashtu siç u zhdukën dikur në Rusi edhe sateliti i parë dhe i dytë Sputnik, bashkë me qenin Laik, nëpër hapësirën kozmike në vitet pesëdhjeta. Pas zhdukjes së Sumires, në këtë ujdhesë, Miu kërkon ndihmë nga K. i cili, si mik dhe i dashuruari më i flaktë i Sumires, për të cilin ajo i kishte folur shumë herë pronares së saj gjatë bisedave të shumta, për veçantitë e tij si njeri i ditur, ndaj, ky mësues, nuk nguron të marrë rrugën e gjatë të kërkimit. Ai niset me aeroplan nga Japonia për të mbërritur sa më shpejtë në vendin e ngjarjes. Gjatë këtij kërkimi në skenë dalin elemente tjera fantastike rrëfyese. Miu paraqitet me kualitetin e jetës së vet, kurse K. Mësuesi apo narratori 20 vjeçar, që emri i tij nuk njihet tërësisht në roman, rrëfen ngjarjen në vetën e parë, duke u paraqitur në skenë, si ndihmues, me një fuqi jetësore ndikuese. Ai ligjëron në një shkollë dhe vendos shumë gjëra për marrëdhëniet me Sumiren. Në roman ka të futur intertekstualitet, gjë që nga ky segment i qasjes së rrëfimit, autori i romanit, Haruki Murakammi, na del se e njeh mirë teorinë e shtjellimit të prozës postmoderne.
Autori në roman kërkon nga personazhet një vullnet të lirë dhe në këtë vullnet të hapur prioritet kuptimi gjen mënyra absolute e kërkimit të kënaqësisë individuale. Por kjo ndjeshmëri shtjellohet ndryshe në melankolinë e jetës së Sumires, vërehet një absurditet kundërshtie ndaj asaj që ndodh si emocion i ndjeshëm psikologjik, erotik dhe i asaj që duhet të jetohet si e lirë në jetë. Pasi ajo e humb nënën e vetë, nga një sëmundje e rëndë, në moshën tri vjeçare, si duket kjo ndodhi e hidhur ka lënë tek Sumria (Vjollca) një delirium emocioni të ndjeshëm, mungese afrie amësore, të pa përjetuar, të ngarkuar me kompleks që nga mosha e re fëmijërore, Miu nuk kishte ndonjë përvojë homoseksuale, por me tolerancën e saj dukej se po zbulonte dhe lejonte sekretet e brendshme të dikujt tjetër, të Sumries, pasi trupi dhe mendja e saj ishin përqendruar në një pikë të caktuar të ndjenjës intime, ajo pranon këtë lojë erotike të tjetërsuar, për realizuar dëshirën seksuale të flaktë të të dashurës së saj Sputnik. Shkrimtari duke pasqyruar këtë veprim lezbeik, të këtyre dy femrave, na shtynë të mendojmë pse autori e humb personazhin e vet në këtë ujdhesë të Greqisë. Ndoshta Hurakami me këtë veprim do të na tregojë se fjala ‘’lesbesch’’, apo edhe heteroseksualizmi dhe biseksualizmi rrënjët e veta i ka që nga koha antike dhe, emrin e ka marrë, sigurisht, nga ishulli Lesbos (Leswos). Sepse ky fenomen nuk është vetë i kohës sonë, por rrënjët e saj janë që nga koha antike, Atëherë pa dyshim se na kujtohet poetja antike greke Sappho, që jetoi në shekullin gjashtë para Krishtit, e cila me pasion i ka kënduar dashurisë së grave, ashtu siç komentohet shumë herë sot edhe për orientimin e saj seksual, se ajo ka qenë lezbeike. Por edhe Xhorxh Gordon Bajroni ka kërkuar qetësinë e shpirtit në Greqi, bile pat vizituar edhe Ali Pash Tepelenën. Nuk është rastësisht vikend shtëpiza, në të cilën bënin pushim Sumria dhe Miu, ajo është pronë e një shkrimtari Anglez të njohur, i cili ka qenë homoseksual.
Autori subkulturën feministe e paraqet si drejtim të lëvizjes politike të orientimit seksual, biseksual. Identitetin lezbeizmit autori e strukturon si fenomen perëndimor, e që rrënjët i ka në Greqinë antike. Ngjarja si tërësi duket pak sa mistike, e ç’veshur nga gjuha poetike. Romani ka një fund të hapur, pastaj të duket se në këtë fund ëndërrimtar mbetet një shteg melankolik. Në qendër të rrëfimit rrotullohen tri ngjarje, por të lidhura ngushtë me boshtin rrëfyes të narratorit. Në roman trajtohen tema dhe motivet shumta. Por si temë kryesore merren marrëdhëniet erotike dhe shoqërore të njerëzve. Personazhet kapin relacione të ndryshme jetësore. Në shumë variante jepet përshkrimi i jetës së tyre, kryesisht shpalohet ana e brendshme e individit në një shoqëritë caktuar. Derisa personazhi K. zhvillon jetë të kujdesshme, të tjerët kanë një mbikëqyrje të shumanshme veprimesh të kontrolluara. Me karakteret që posedojnë protagonistët në rrugëtim e sipër të gjithë janë udhëtarë të vetmuar. Por vetmia e tyre nuk jep afrinë mundshme për të plotësuar tërësisht nevojat e tyre shpirtërore të veçanta që i kanë ato si personalitet në vete. Në roman në mënyrë paralele zhvillohen tri ngjarje të ndryshme, ku protagonistët shpalojnë botën e tyre të vrullshme, të brendshme. Autori nuk sqaron ngjarje, por jep mundësi kreativiteti që interpretimin e mundshëm ta jep më në fund vet lexuesi. Në këtë aspekt lë të kuptojmë se qëllimi i autorit kurorëzohet me sukses në veprimet e brendshme të individit, i cili si subjekt aktiv në shoqëri, posedon në vete një mister njerëzor të fshehtë, që për të tjerët mund të jetë pak sa i pakuptueshëm, një mister i errët
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.