Shqiptarët e “Maqedonisë politike” të deklasuar!

Situata me organizimin dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në këtë territor-shtet (MV) është aq e brishtë saqë një shumicë e fortë sllave në parlament e deklasifikon komplet qenien politike shqiptare. Ne reduktohemi në mentalitet minoriteti ekonomik, e me e keqja është se si popullatë pa identitet ideologjik, jemi në rregull me këtë përkufizim poshtërues. Dhe këtu nuk është që paraqet ndonjë dallim substancial se cila firmë politike shqiptare e bën përfaqësimin politik. Ata thjeshtë kopjojnë modelin sllav të shfrytëzimit të fuqisë politike për përfitime personale në kuadër të firmës politike (partisë). Por problemi është se përkundër shqiptareve, sllavet e këtij shteti, falë rrethanave historike, në Jugosllavinë socialiste fituan shtet dhe brend personal që kushedi sa ta keqpërdorin çuditërisht vazhdon të mbijetojë me ekskluzivitetin ortodoks sllavofon, ndërsa shqiptarët mbetën dhe vazhdojnë të jenë në lluft indentitar ku rezistenca e toleruar dhe e menaxhueshme nga sllavo-ortodoksia mbetet fetarizmi politik i shqiptarëve, por assesi kahja kombëtare e zhvillimeve politike, sepse kjo paraqet rrezik ekzsitencial për këtë territor-shtet, ashtu edhe si u dëshmua në 1997, 2001 dhe 2015. Fatkeqësisht, kjo gjendje mirëmbahet edhe nga vet shpirtngushtësia jonë me ushqimin e injorancës kulturore, përmes degradimit të sistemit arsimor dhe proceseve emancipuese, ku figura që nuk kanë përfunduar as edhe një lektyrë në jetë fitojnë diploma universitare dhe avancohen në pozita vendimmarrjeje.
Edhe Albin Kurti është duke luajtur në një vijë të rrezikshme të ideologjisë politike që nuk do të mundet ta menaxhojë si e paramendon. Nuk e di si i kalkulon aleancat ndërshtetërore dhe lëvizjet e fushatës zgjedhore kur i mbledh personazhet që as emrat s’ua mba mend. Çka sjellin adnanat e besarat në tavolinë përveç dova n’t’thatë ene rasoj taze?! Padyshim që ndryshimet politike, në Kosovë dhe MV, kanë qenë më se të nevojshme dhe të vonuara por kjo nuk guxon ta tjetërsojë qasjen ideologjike të politikës (të gjithë e dimë se në MV “ndryshimi” duhej të ndodhte organikisht në zgjedhjet e 2016-s, por naiviteti dhe papjekuria politike e këtyre personazheve që sot morën pushtetin e humbi atë shansë dhe na vonoi të gjithëve). BDI meritonte të del në opozitë që atëherë, ndërsa kthesa fetariste që do vinte (kjo e sotmja) deri sot do të ishte e harxhuar dhe demaskuar, e pas kalimit të kësaj faze të errët tranzicionale ndoshta do të kishim ringjallje të vërtetë politike dhe identitare. Mundësi e humbur e popullit dhe kulturës sonë të shpartalluar politike, pak nga dhuna sistematike, pak nga ajo e perandorive ekonomike (lindje e perëndim). Kemi kaluar shumë, por gjithsesi duhet të vazhdojë rezistenca dhe të mbijetohet edhe ky proces. Gjendja në popullatë mbetet: injorancë e dhunshme, ama në rregull jemi se në Tetovë lëvizën do kesh! Elhamdulilah!
Përgjigje për komentet:
E di që shtytja kryesore ishte për vrazhdësinë e terminologjisë që kam përdorur, por nga titulli dhe fotoja e përngjitur ishte edhe qëllimi për të qenë “unapologetic” për disa gjëra që ndjej të jenë të vërteta të shtypura. Në titullin me dykuptimësi për deklasim dhe deklasifikim nënkuptoj edhe zbardhjen e çeshtjeve që dikur kanë qenë sensitive, ashtu edhe për terminologjitë “çliruese” që kam përdorur (dekoloniale, të përdor temrinologji që në vete përmban nuanca të neokolonializmit akademik). Ndoshta edhe është e vrazhdë, por kam konstatuar disa fakte të vrazhda. Nisur nga realitetet e emërtimeve, fillimisht me emrin e shtetit që është vendosur vrazhdë bazuar në ideologji të huaja për territor të huaj dhe popullatë që nuk është homogjene, dhe përgjatë dekadave është normalizuar saqë vënia në pyetje e saj dhe realiteteve tjera praktike kulturore ngjajnë në ofendim apo janë në kufijtë e korrektësisë politike. Por përderisa kolonizimi mendor është i vrazhdë dhe vazhdon të mbijetojë në skenën politike të shumicës në shtet edhe dekolonizimi i vetëdijes politike si përgjigje mund të duket i tillë. 1) Por nëse vrazhdesinë e sheh te kritika për figurat e përmendura pjesërisht si fenomene, aty nuk besoj se ka diçka aq të vrazhdë pasi nuk është që kanë dhënë diçka tjetër, njëri shfrytëzon ndjesinë e religjiozitetit për çështje operative partiake (pa ideologji të qartë), e tjetri është referencë për mirëmbajtje të figurave tipike karrieriste në politikë, pa gati asnjë kontributi thelbësor në detyrë. Nuk di për ndonjë program apo iniciativë autentike për ndihmë të bujqësisë dhe prodhuesve lokalë, shoh vetëm të zbatojnë programe të platformave të huaja që në vete janë larje sysh për popullin dhe mirëmbajtje e oligarkisë kryesisht të shumicës. Dhe rasoj taze kushedi sa snobiste të duket është rikujtim për atë që ai duhet të përfaqësojë dhe nuk e bën. 2) E di që BFI, por edhe shumë insitucione që janë legalisht shtetërore kanë qenë të partizuara egërsisht, por departizimi nuk duhet të ndodh me zavendësim të ngjyrave. Te kjo nuk kam pa asnjë lëvizje të sinqertë. Ndërsa për BFI-në vetëm mundem të sugjeroj riorganizim të plotë funksional dhe ndonjë formë lustrimi, si dhe ripërzgjedhje por e kuptoj që është larg reales. Do të kisha sugjeruar edhe kthimin e praktikës vullnetare deri në pastrim apo inkuadrimin e plotë në mirëmbajtje shtetërore me transparencë dhe llogaridhënie. Kështu të paktën do të shihet kush vërtet e bën punën me vetësakrificë dhe kush është aty vetëm për përfitime të botës. Mirëpo këtu përtej faktit se përbëjnë shumicën, shqiptarët nuk mund të kenë ekskluzivitet të skajshem dhe është çështje delikate për të cilën duhet patur kujdes. Fundja identiteti shqiptar është i veçantë sepse shtyllën kryesore e ka të qenët komunitet gjuhësor me shtresa të ndryshme fetare dhe nuk është e patjetërsueshme të kopjohen format e gatshme të kombësive etno-religjioze si në shumicën e shteteve përreth apo edhe nëpër perëndimin evropian. Informatat e mia në këtë aspekt janë të kufizuara dhe kompetenca ime nuk mund të thotë më shumë por edhe për syrin e painformuar mirë, fatkeqsisht, lufta që bëhet për kontroll aty duket si luftë kryekput e politikave ditore. Sidoqoftë, aspekti politik i fetarizmit që referoj dhe jam i kujdesshëm të mos bëj emërtime tjera mu për shkak se nuk besoj se kjo që propagohet nëpër shtabe është e sinqertë dhe bie poshtë në momentin që këta përfaqësues hynë në institucione (ngjashëm me pallavrat e ekzagjeruara nacionaliste). Por si i tillë është i pranishëm gati se në të gjithë taboret dhe besoj që duhet të paktën të thuhet publikisht dhe mos bëhen simulime konspirative që doemos do bien në momentet e përballjes me qeverisjen (të njejtën e kemi thënë gjithnjë edhe për premtimet hiper-nacionaliste). Dhe përtej afërsisë së vëllazërisë dhe njësisë së popullit (që besoj se e kuptojmë te gjithë që kjo moti është tejkaluar, njejtë edhe me takimet e të falimentuarëve politikisht në krahun tjetër), nuk e kuptoj çfarë afërsie ideologjike e lidhen VV-në me një grupim partiak që vetëidentifikohet si konzervatore. Kjo është lëkundje e linjave ideologjike të VV-së. Të ishte për koalicion qeverisës ndoshta do të justifikohej për shkaqe praktike, por kështu nuk e kuptoj në çfarë baze e mirëmbahet ky përafrim në kampanjë zgjedhore (dhe nuk është hera e parë kjo).
Unë besoj që meritojmë shumë më shumë dhe këtu besoj që kemi mendim të njejtë.
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.