Përmbytje finale e snobizmit ose dekompozim shoqëror
1.
Sofistikimi i kulturës së pastandardizuar, në shoqërinë tonë, tanimë, ka marrë përmasa të mëdha sundimi. Ky nivel kulture, i akomoduar dhe trasuar kështu qëllimshëm, me vite të tëra, i ngërthenë në vete, pa dëshirën tonë, edhe pasojat dhe dështimet e saja të shumta në shoqëri. Shumë vite stimulohet dhe përshtatet kjo situatë apo frymë kulture, gjoja tërheqëse, e këndshme, për njerëzit ambicioz, por nga ana tjetër e medaljes vlerësuese, kjo frymë e plogësht, bëhet edhe shumë e neveritshme nëpër vite, për qytetarin e ndershëm dhe për syrin kritik që i përcjellë këto fenomene jetësore. Pra, gjendja e këtillë, e pastandardizuar dhe e pa studiuar shkencërisht nga ekspertë, që, tani për tani, ka mbetur si e këtillë në “status quo”, është standard absurd, por është trasuar, bartur, nëpër etapa kohore me të njëjtin nivel veprimi. Por kjo gjendje tani shihet qartë se ka marrë dimenzione dhe përmasa kulturore mitike, lakmuese dhe është bërë ushqim i këndshëm dhe i përditshëm i kësaj popullate, duke u stimuluar e vazhduar keq nëpër gjenerata të ndryshme. Kjo formë kulture e pranuar dhe përzgjedhur lehtë, e cila bëhet shumë efikase në veprim e trajtim e sipër qeverisës, rrënjët e saja i ka të thella dhe të përqendruara mu në egon e stisur të lakmisë së “yrnekut” të njeriut snobist, zhvatës apo të atij keqpërdoruesit klasik të të mirave shoqërore. Prandaj kjo gjendje e hidhur, komoditetin dhe veprimin e saj të kapshëm, e gjenë dhe e përqas vrullshëm mu nëpër hapësirën humusore edhe të “mirëqenies” së tanishme shoqërore.
Pra, kjo situatë, gjithnjë e më shumë, na paraqitet dhe përsëritet si gjendje “e këndshme” e të jetuarit “bukur” dhe në këtë mënyrë e formë të përgjëruar shumëzohet gjithandej trojeve shqiptare dhe pikërisht tani shëmbëllen si trend dhe avansohet kah mendimi politik i shoqërisë sonë. Madje kjo frymë e lehtë, por keqbërëse në brendi, që është bërë edhe shumë e përshtatshme për kultivim e trajtim të zakonshëm nëpër këto territore, ka bartur edhe pasojat e vet të shumta. Bile një mënyrë e këtillë ekzistenciale, nga dita në ditë, bëhet edhe standard jetësor, të themi më mirë, aplikacion i këndshëm politik dhe pasion përfitues real i individëve, që duan të mbjellet, kultivohet dhe edukohet ky fryt kulture e politike, si farë efikase e suksesit shoqëror. Kulturë që madje do të shtohet e shumëzohet, vazhdimisht, nëpër lëndinën e madhe politike shoqërore, e cila pastaj do të përhapej shumë shpejtë e mjeshtërisht nga vet popullata, që këtë gjendje jetese e kulturore të çuditshme, ta kthejë e konsiderojë si interes dhe trend kohor të leverdishëm, me efekt efikas materialist e snobist. Kështu me këtë standard kulturore për nga forma dhe brumi, përmbajta e qëllimi, është duke u institucionalizuar dhe instrumentalizuar një ngjeshje e përgjithshme stihie. Kryesisht duke i shëmbëllyer keq dhe negativisht jetës së qytetarit dhe sistemit shoqëror aty ku vepron dhe sundon nëpër vite. Prandaj, përherë nga qytetarët kërkohet dhe bëhet pyetje e nevojshme, për ndryshimin e së keqes së instaluar. Në fakt argumentimi, të këtij trajtimi ideologjik shoqëror, kjo kërkesë, në formë refreni, tani mund të merret si dëshirë e mirë, por jo edhe si saldim mekanik të idesë së tillë, euforike, ku stimulohet nga militantë e individë servilë, pa masë e standard kulture për atë ndryshim të monotonizuar politik, që na e ka shurdhuar veshin deri më tani, në vite të tëra, me shllagvortin, “mjaft keni vjedhur ju, tani jemi në rend ne”.
Në kohën e sotme ky refren kakofonik dhe absurditet ndryshues tingullor i lodhshëm, nuk shkon e nuk durohet më, por individë lakmitarë dhe naiv, sidomos ata që ngrihen jerm politikisht, ende shpërlahen nëpër këtë mjegullnajë ëndrre dhe me këtë ujë të turbullt lakmitarë. Ky refren i përhapur dhe kakofonik nëpër etapa të ndryshme, është bërë sot “bajat”, dhe nuk mund të dëgjohet e gëlltitet lehtë, si çdo gjë tjetër që është e tejkaluar apo skaduar nga koha. Pra, këtë refren e thonë dhe e pranojnë të gjithë ata individë që nuk janë në gjendje edhe një fjali të shëndosh dhe pa gabime ta bëjnë gjithandej prononcimeve e përceptimeve të tyre dekadente. Themi kështu mbasi, tanimë, janë shprazur resurset e rrenave dhe manipulimeve të këtilla në popullatë. Bile edhe nëse individi të jep shansë, mundësi ta mashtrosh, ta dënosh lehtë apo t’ia marrish të drejtën që i takon, qytetarit, popullit, e ke të pamundur sot t’ia futësh mendjen nëpër këto lajthitje e dimensione tekanjoze të rrejshme të keqbërjes dhe të padrejtësive të shumta, sepse popullata i mbanë mend të gjithë të këqijat dhe i di shumë mirë t’i vlerësojë gjërat e mira dhe ato të shëmtuara. Nga ky konkluzion pragmatik del se populli përherë ka të drejtë në gjykimet e veta, ndaj, pas çdo dështimi në skenë politike, me veprimet e gabuara të grupacionit politik, ai shumë lehtë edhe të dënon e të lëçit nga skena politike, prandaj të tillët, që synim e kanë zhvatjen, rrenën dhe padrejtësinë, mund sot të kompromitohen shpejtë dhe të dalin humbës. Në këtë aspekt e kemi shembull shumë të mirë politikën e trasuar të Kosovës, pikërisht për t’u korrigjuar te mentaliteti gjërat e dështuara, posaçërisht ato gjëra që kanë sjellë pasoja edhe në mjedise tjera shoqërore të territoreve shqiptare.
Nga këto pikëpamje e rrethana të njohura, ku bashkëjetojnë në shoqëri ekzistencializmi, absurditeti dhe nihilizmi, dalin komplikime të mëdha qeverisëse, por me të gjitha ato vështirësi ekzistuese, duhet të dilet me kujdes dhe të ngritet lartë çështja e kombit dhe funksionimi i shtetit. Bile në mënyrë akute dhe në shkollim permanent të investohet dhe të ngritet vetëdija e çdo individi, qytetari, dhe të gjithë atyreve që kanë shërbyer e anuar keq apo mbrapsht politikisht. Sepse nga modeli politik zhvatës, keqbërës, përfitues shumëvjeçar dhe pa merita vlerash të verifikuara, tanimë, të gjithë bëhemi humbës dhe pastaj nga kjo humbje e madhe në skenë shëmbëllejnë pasojat dhe pengesat e shumta në ndërtimin e shtetit ligjor, nëpër tërësinë e territorit shqiptar. Kështu, nga kjo bindje e vetëdije e tanishme mund të shfaqen paradokse dhe rrethana tjera të zhvillimimeve politike, që janë të paparashikueshme e të tmerrshme për nevojat njerëzore ekzistencialiste. Nga këto rrethana e bindje të përjetuara dalim në konkluzione reale të fenomeneve dhe të vlerësimit politik të drejtë.
Nëse një grupacion partiak pretendon të jetë më gjatë në qeveri e pushtet, duhet të ketë kujdes në vendimmarrje dhe në zbatime ligjesh të drejta e të qëndrueshme. Të mos i përsërisin gabimet dhe padrejtësitë e bëra të paraardhësve, që me veprimet e tyre ta dënojnë popullin e pafajshëm. Mbase politika për ne është dhe do të mbetet “një sfingë e gjallë”, që asnjëherë nuk njihet mirë e zotërohet tërësisht, por që lejon ajo t’i afrohen në brendinë e saj njerëz të të gjitha kategorive sociale e intelektuale, që pastaj determinon çështjen dhe vepron nga shumë profile e kënde të grumbulluara, për të mirë e për të keq. Edhe pse, në të njëjtën kohë, ajo nxitë dëshira vlerash për ndryshim, ose në të njëjtën kohë i imponohen paradokse të shumta kohe, që zgjojnë apo irritojnë kureshtjen dhe interesin e njerëzve, për ta përceptuar e ndjerë atë nevojë standardi kyç nga afër, si vlerë apo jo vlerë ekzistuese. Dhe për t’u marrë me këtë zeje (politike), të rëndësishme shoqërore e shtetërore, është sakrificë dhe punë e madhe e gjithsecilit. Prandaj njeriut të zakonshëm, kur i imponohet kjo detyrë nëpër këto angazhime, parasëgjithash, veprimin duhet ta marrë si sakrificë, prandaj duhet krejtësisht edhe të dalë nga vetja dhe egoja e stisur personale, t’i harrojë veset, tekat, inatet, t’i dënojë keqbërsit dhe të orientohet seriozisht duke u vënë tërësisht në shërbim të drejtë, të qytetarit. Gjithashtu shumë me rëndësi të dihet se në këtë aspekt angazhimi, është e kuptueshme se liderët e ndonjë partie, bashkë me kryesinë e tyre, duhet të kenë kujdes se çfarë individësh dhe kalibra profesionistësh përfshijnë, përzgjedhin, apo kyçin nëpër ato poste të ndryshme qeverisëse, për ta udhëhequr vendin në mandatin e tyre, në të mirë të qytetarëve dhe kombit. Sepse të paditurit, sahanlëpirësit, të shkolluarit rrejshëm, keqpërdoruesit lakmitarë, dredhakët dhe zhvatësit e të gjitha kohërave e ngjyrave sjellin përherë huti. Ata që kanë hyrë nëpër vende të ndryshme të punës, nëse nuk janë në gjendje t’i kryejnë detyrat apo shërbimet e duhura të qytetarit me nderë, bie fjala, nëpër ato vende me rëndësi ndikimi (eshalloni parë dhe i dytë) të parapërcaktuara me kërkesa partiake, e kanë të rëndë e të pamundur sot mbijetesën e tyre të gjatë politike, në hapësirë e kohë. Sepse ata të nominuarit, nga mosdija, pashpirtësia e frustrimi i tyre nihillist e absurd, bashkë me keqpërdorimet e shumta të bëra, mund të bëhen shumë lehtë edhe “vrasës” të mundshëm politik, të liderëve apo grupit përcaktues të vet partiak, nga i cili edhe janë të rekrutuar dhe instaluar pa një kriter të duhur.
2.
Me ardhjen e demokracisë nëpër këto troje, të themi më saktë, që nga viti 1991 e këndej, uria e grabitjes së fjalës dhe veprimit të lirë ishte e madhe. Ishte e madhe dhe e etshme, sepse qytetari kërkonte kodin e ndryshimit të qasjes dhe shtegun e vet të lirisë dhe barazisë, për të krijuar komoditetin e vet jetësor më të mirë, e më prosperues. Dhe tërë ky tension i vrazhdë i politikës së kohës, te ne, bëhej atëherë ngutshëm, për t’u avancuar individë formalistë dhe pa ndonjë kriter të duhur sistemor. Mbase atëherë universi i mendjes njerëzore rrotullohej nëpër tre segmente jetësore të lirisë së vetë, bile vëmendja përqendroheshte, mu aty ku shfaqeshin fërkime dhe kundërshti të mëdha politike e demokratike. Dhe kryesisht
lëndinën jetësore e dominonin tre bindjet njerëzore, të cilat ishin
me përceptim dhe qasje dominuese dhe kundërshtuese: ekzistencializmi, absurditeti, dhe nihilizmi. Kështu nga këto dallueshmëri esenciale filozofike dhe përpjekje joserioze, jostabile të shoqërisë dhe të veprimit demokratik, mbërritëm në këtë gjendje dhe shkallë të lodhshme qeverisëse, dekadente, ku dominon absurditeti dhe pasojat e rënda për qytetarin. Sepse shoqëria u trasnsformua keq nga një sistem monist në një sistem tjetër pluralist të vrazhdë. Por përveç kësaj ambicie pluraliste që kishim më parë, për ndryshim shumëpartiak ekzistencialist. Ky kthim sistemi, na instaloi në vete mekanizma dhe përzgjedhje njerëzore të brishta demokratike. Tatuazhoi në sistem mjegullnajën e veprimit kaotik të shprehjes së interesit për përfitim të lirë e të shpejtë. Nga kjo ngutje e ngulje perfide në kohë, mori vrull kapitalizmi i egër, i cili u instalua keq dhe me shumë pasoja e pakënaqësish njerëzore e kulturore në popullatë. Pastaj ky vrull politik absurd, i pasistemuar si duhet në shoqëri, u bë dorë e zezë dhe e gjatë e manipulatorëve të zhdërvjelltë dhe e atyre njerëzve pa ndërgjegje të pastër morale, edukative familjare. U zbatua kulturë e dobët, e cila me veprimet e saja donte të grabiste apo të zhvaste gjithnjë diçka të vlefshme nga hisja e mundshme e shoqërisë. U privatizuan të mirat shoqërore, kryesisht për t’u pasuruar e avancuar njëtrajtshëm, dhe shpejt e shpejtë nëpër rrjetën e ngatërruar të demokracisë së brishtë. Partitë kanë ndarë hise interesash që u kanë kushtuar rëndë qytetarëve. Bile ka pasur edhe të tillë individë, që nëpër mënyra më të sofistikuara dhe sherresh të ndryshme e manipulimesh, u kanë bërë dëm e keq edhe njerëzve të ndershëm e të pafajshëm të atij mesi. Ligjet nuk kanë funksionuar si duhet, për të pasur një nismë të mbarë politike. Kështu u inkarnua në sistem kapitalizmi vulgar. U privatizuan keq të gjitha të mirat ekonomike të interesit shoqëror.Të gjithë individëve të papërgjegjshëm, ky refren dhe kjo klimë u bëri mirë dhe ua hapi shumë lehtë dyert e synimit dhe përfitimit jo të drejtë, që nga kërkushi u bënë dikushi. Sidomos këtë akt grabitës ua mundësoi teknika praktike e manipulimeve politike, e atyre personave “të shkathtë” apo bandave që donin ngutshëm ta tjetërsonin apo ndryshonin veten, kohën, politikën e rastit, pa asnjë kriter e nivel të matur e të duhur kulturor e shkencor.
Pra, kur shoqëria doli nga burgu i njëmendësisë së kufizuar, në politikë u ngjeshën veprime negative njerëzore të rrejshme, të cilët pastaj në jetë na sollën edhe pasoja tjera të mëdha kulturore, arsimore, nihiliste qeverisëse në sistem. U bënë padrejtësi të mëdha kolektive. Ky kriter pastaj na mbajti peng për shumë ligje e vendime qenjësore e shtetërore, kryesisht për të mos u bërë i barabartë në standardin e barabartësisë. Kështu ngutja për të qenë i barabartë me shoqëritë e emancipuara të vendeve perendimore dhe me traditë të gjatë demokratike, qytetarin e futi nëpër këtë katrahurë kulture kaotike epshore dhe absurde, duke e nxitur e futur atë keq nëpër errësirën e labirinteve të rënda kërkuese ekzistencialiste. U krijua një trend i mjegulluar i vardisjes, ku qytetarët nuk ishin edhe aq të përgatitur ta kuptonin sa duhet nëpër kthesat sistemore, bile as për t’u përballur me ato përmasa të larta e të nivelizuara kulture ekzistuese të atyre shteteve model. Megjithatë popullata lejoi, lakmoi dhe pranoi këtë standard dhe fatalitet dëshire të njëanshme, skandaloze. Në ngritjen e vet profesionale të ngutshme, pa prespektivë të shëndosh dhe jo të ndritur sa duhet dhe me shpresë për të ardhmen. Grupe të caktuara njerëzish dhe partish të ndryshme, i improvizuan në mënyrë të thjeshtë gjërat sistemore dhe riradhitën në qeverisje njerëz të përdorshëm. Sidomos ata individë me një brishtësi funksionale të dobët dhe të rënditur sipas interesave klanore dhe favoreve fisnore e partiake të vrazhda. Pa e shikuar në funksion përgatitjen paraprake, vëmendshëm, posaçërisht drejtësinë dhe barazinë e plotë të qytetarit. Lejuan dhe toleruan rendin e dytë shoqëror në sistem, ku manipulohej me drejtësinë. Shumica që iu përshtatën kësaj mode defiluese, të ndryshimit demagogjik, “kulturor demokratik”, e që dukej në formë atraktiv për syrin lakmues matrial, momental të njeriut. Individët u pispillosën mirë me frymën intelektuale dhe parfumin politik formalist të rrejshëm qeverisës. Improvizuan çdo segment të jetës, ndaj qytetarët, në mënyrë absurde, vrapuan dhe marshuan pas tyre duke u flirtuar nëpër këtë demokraci të mirseardhur, por pa busull orientuese të duhur, nëpër sistem jo të shëndosh politik dhe të paqëndrueshëm kohorë. Zmadhuan epshet tyre dhe u vardisën pas keqpërdorimetve të shumta materiale e morale. Ata lakmitarë u kacavjerën drejt orientimit dhe grabitjes së vlerave shoqërore, tradicionale e kombëtare, në dëm të popullit shqiptarë, bile nëpër të gjitha lëmitë e jetës. Madje-madje individë të papërgjegjshëm uzurpuan dhe privatizuan edhe kulturën tradicionale të mirëfilltë, duke ia humbur qukun vlerës dhe kontunuitetin e saj të mirfilltë. Nuk e kërkuan shtegun e avancimit normal të saj, por lejuan anarkinë dhe shkapërderdhjen shoqërore deri në përmbytje
e shfarosje të madhe.
Edhe pse atëherë koha kërkonte sakrifica të mëdha, për ndryshime qenjësore dhe të drejta njerëzore, por qytetari i zakonshëm nuk e posedonte sa duhet guximin, lirinë dhe fuqinë e kulturës bindëse, për t’i ndaluar këto veprime e fenomene të njëanshme pluraliste. As nuk e kishte maturinë e vetëdijes dhe ndërgjegjes së pastër, që të bënte ndryshimin e duhur e të drejtë. T’i thotë vetes ‘’stop’’ për gjërat që si meriton apo shërbimet që nuk i di t’i bëjë drejtë, mirë e si duhet. Por nga vardisja histerike e lakmisë dhe servilizmit, për të jetuar rrejshëm, lejoi të marrë veprime e ligje të njëanshme, aksidentale të grabitjes së asaj mundësie që nuk i takon. Madje ky kuvet i atëhershëm, i brishtë e i sforcuar formalisht, e politikisht, ndikoi edhe më tej në pozicionimin e individëve, duke i avancuar të tillët, vend e pa vend, nëpër struktura të shumta politike shoqërore, me pasoja të pa parashikueshme. Por e keqja më e madhe e kësaj vardisje stihike, të themi kështu, bëhet atëherë kur individi nuk posedonte në vete aftësitë dhe zhdërvjelltësitë menaxhuese, për t’i dhënë sinqerisht shoqërisë vlera, përvojën e dijen adekuate nëpër institucione, me frymë pozitive e prosperitet të mirëfilltë, pa bërë dëme e të këqija të përgjithshme shoqërore. Bile në këtë segment jete kërkuese e lakmuese, bile të ishte sadopak individi në gjendje të kuptojë e ta ndalojë veten, me vetëdije se për shumë gjëra nuk është i aftë të veprojë e menaxhojë si i tillë. Kështu, një pjesë e madhe e njerëzve e harruan këtë përgjegjësi dhe u ngutën të krijojnë individualizmin e rrejshëm, dhe vepruan pa kriter politik e kulturor në arenë kohe përfituese të egër. Mbase këtë vrap të lehtë e të pa kontrolluar të kohës dhe sistemit, atyre, ua mundësoi “demokracia” dhe teknologjia e mundshme bashkëkohore, që vjedhja dhe përshtatja në sistem të bëhej e lehtë dhe si nevojë e arritshme dhe më e shpejtë e qytetarit.
Tani dhe këtu, pas gjithë kësaj turbulence e mjegullnaje të stërzgjatur njerëzore, notojmë të gjithë keq nëpër mediokritet e kiç. Riniia dhe truri i prespektivës shoqërore është larguar dhe largohet me përmasa të mëdha nga këto troje. Bëjmë improvizime të lodhshme në sistem. Instalojmë në jetë defilim kulturor snobist, dashuri të rrejshme atdhetarie, formalitete dhe improvizime artistike të shumta, nëpër asociacione kulturore, ndaj e kemi shumë rëndë sot të dalim apo kapërcejmë veten nga thellësia hendekut dhe errësira e së keqes së kapluar. Përballemi me frymën e absurditetit dhe nuk mund ta kapërcejmë mjegullnajë errët, kryesisht për t’u nisur drejtë ndriçimit dhe bregut të shpëtimit modern e avangard.
3.
Populli ynë, për fat të mirë, gjeostrategjikisht, gjendet në një hapësirë të volitshme e të mrekullueshme klimatike e materiale, për t’u zhvilluar ekonomikisht dhe për të jetuar mirë e bukur në vend, por kjo dhuratë e begati hynore është e pa shfrytëzuar sa duhet, apo aspak e trasuar në mënyrë të duhur e racionale nga faktori njeri.
Sentimentalizmi dhe lakmia qeverisëse na ka futur nëpër labirintet emocionale të rrugëtimit të keq e të errët romantik, e që sjell dëme të mëdha, në aspektin ekonomik shoqëror e kombëtarë. Bëhemi kapadai dhe bajraktarista të mbrapsht nëpër ato vende e poste ku veprojmë. Nuk punojmë drejtë dhe si duhet. Krijojmë traditë të rrejshme. Fuqizojmë intelektualë jokompetentë. E keqpërdorim vendin e punës. Stimulojmë burokraci të panevojshme. Detyrat nuk i kryejmë shpejtë dhe si duhet. Përplasemi politikisht dhe padrejtësisht për gjëra të kota dhe për gjëra të prapambetura. Pengohemi keq nëpër arrogancën e hakmarrjes provinciale të individëve dhe të kapadaive. Fajtorin e kërkojmë gjithnjë te tjetri dhe kurrë atë damkë fajësie kulturore, të madhe, nuk e shohim se e kemi të tatuazhuar vrazhdë dhe thellë në lëkurën tonë. Nuk përpiqemi vëmendshëm ta ndryshojmë dhe ta transformojmë veten për të mirë. Ta largojmë bindjen e keqe, dhe atë të trashëguar. Nisemi për një rruge e bindje të njejtë partiake dhe në gjysmë të atij shtegu të koordinuar, krijojmë frakcion kundërshtie dhe ndahemi se në vetëdije dominojnë interesat personale dhe jo partiake e shoqërore për t’i shërbyer qytetarit. Dhe krejt kjo anomali ndodh kështu vrazhdë, sepse na mungon edukata, morali, kultura dhe me një fjalë të themi mungon dinjiteti i sinqertë njerëzorë. Kërkund nuk jemi me standardet e botës së civilizuar. Shtirremi si atdhedashës, por bëjmë dëme të mëdha në kurriz të popullit.
Shoqëria edhe pse është e hapur për të gjithë qytetarët, kjo nuk do të thotë se kjo hapësirë duhet të jetë edhe lëmë për të vallëzuar e defiluar keqbërësit, bashkë me sherrin e sharmin e tyre të përfitimit të rrejshëm, në rreth e në kohë të caktuar. Kështu nga këto dalldisje, kurdisen dhe improvizohen rrena e stërrrena, vetëm e vetëm, për të mbijetuar e u zhvilluar individualisht rrejshëm. Kodin e përshtatjes dhe servilizmit e kemi mësuar dhe bërë përmendsh. Bëhemi të mëdhenj, pa hiri, por fuqinë e muskujve veprues dhe të pasqyrës reale të vetes e kemi të “kllumur” keq në prapambetje dhe në çerdhen e ngushtuar të mizave përdhese, që rrotullohen në vend, pa një prespektivë reale shoqërore. Bëhemi ushtarë të thashethemeve, apo sonda të mëdha shpuese të shpifjeve, por jo edhe sabotues të gabimeve individuale dhe të fenomeneve të shëmtuara, që janë të trashëguara, e që janë duke na rrethuar e ngulfatur keq.
Sikur secili ta bënte punën e vet, të merituar, me nderë dhe si duhet, ndryshe do t’i kishim punët. Madje poqese njeriu do t’i zbatonte ligjet dhe t’u shërbente qytetarëve në mënyrë korrekte e të drejtë, ne sot do të ishim shumë atraktivë dhe të suksesshëm, për të na lakmuar edhe të tjerët.
Kaluan shumë vite demokratike, por akoma kemi mbetur të egër nëpër dallgët e papërballueshme të njëmendësisë dhe tranzicionit të rëndë dhe hakmarrjes. Luajmë djallëzisht me politikën dhe kulturën e brishtë, nëpër batica e zbatica dështimesh ligjesh kohore, si macja me miun. Mbetemi pa standard të duhur dhe kriter shoqëror. Pakujdesia politike na i kthen punët mbrapsht. Merremi me vetveten dhe konfrontohemi me pasojat dhe jo me shkaqet. Kështu rreziku i përgjithshëm vjen dhe bëhet më i padurueshëm, nga avansimi i shtirjes dhe kakofonisë kulturore mediokre. Edhe pse sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë jetike të dominojë fryma e re e politikës dhe kulturës prosperuese. Që nëpër vende kyçe të instalohen dhe të kërkohen individë të ditur e të pashantazhuar, që të zënë vend vlerat e mirëfillta njerëzore. Nëse në politikë hyjmë për t’u hakmarrë për çështje personale dhe jo për të sjellë projekte e risi të mirëfillta, që do t’i shërbenin qytetarit, vendit, atëherë si klasë politike kemi larë lesh. Vendit dhe qytetarëve nuk u duhen “lidera” dhe “shefa” të kultivuar nëpër kuzhinat totalitare të njëmendësisë së skaduar përfituese, por individualistë profesionalë, të vërtetë, me vetëdije shërbyese pluraliste e kreative, që do ta respektojnë sistemin, ndryshimin, drejtësinë dhe ligjin e mirëfilltë të vendit. Është dëshirë akute njerëzore, tanimë, të udhëheqin ata lidera të ndershëm dhe të besueshëm që e duan vendin, atdheun dhe populli pa hile. Dhe pikërisht këtu është esenca e çështjes, kur të gjithë ata të përgjegjshmit do ta kenë vetëdije të sublimuar për të mirë, atëherë do ta kenë edhe jetëgjatësinë e tyre politike nëpër vite, vetëm e vetëm, të mos bien pahiri në prehrin e keqpërdoruesve të fshehtë dhe në dekompozimin shoqëror snobist e nihilist.
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.