Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 22/12/2024

Scroll to top

KTHEHU LART

Midis mbrojtjes identitare, banalitetit ideologjik dhe shovinizmit delikat

Midis mbrojtjes identitare, banalitetit ideologjik dhe shovinizmit delikat
Taulant Salihi

Në çdo lajm në internetin shqiptar që ka të bëjë me ndonjë figurë e cila lidhet me manifestim dhe glorifikim (e në të shumtën e rasteve me simulakra hiperglorifikim patetik) të elementit kombëtar, shfaqen protestues ndaj ketij fenomeni. Të tillë vijnë nga shtresa të ndryshme përbrenda tërësisë etnike shqiptare, por më të zhurmshëm dhe më seriozë duken ata me motivimin kinse-fetar në kritikën e tyre ndaj figurave me rëndësi kombëtare dhe etnike shqiptare. Standardi i reagimeve të zakonshme ndaj Ismail Kadaresë (ngjashëm me ato për Nënën Terezë), nuk mungoi edhe në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Përtej patetizmit nga nevoja e domosdoshme për pjesëmarrje në manifestimet e masës apo rezistencën kinse anti-patetike me mospjesëmarrje në to, në pah dalin edhe njësitë tjera të tërësisë etnike kulturore shqiptare që në thelb nuk e pranojnë trajtën kombëtare të kulturës së përgjithshme shqiptare, me të gjitha delikatesat lokale që ajo përmban. Motivimet e tyre janë nga më të ndryshmet, por dominant është ai i fetarizmit laik, i cili në kritikë ndaj elementeve jo-fetare përbrenda etnisë merr edhe formën e anti-diktaturës, humanizmit etj.

Por nga kush vjen kjo shtesë kritike? Prapavija historike që ka prodhuar sot përbërjen etnike, dhe rrjedhimisht kombëtare shqiptare, tregon që ky prodhim nuk është aq homogjen sa duket. Në një intervistë televizive, përfaqësuesi i projektit Rrënjët, Gjergj Bojaxhi, mbron teorinë e tij të nxjerrë nga intepretimi i rezultateve të ADN-ve që posedojnë, ku shihet qartë se edhe në tërësinë e sotme etnike shqiptare ka komponente përzierjesh gjenetike nga njësi “tjera”, e që në fakt përputhet me intepretimin që Noel Malcolm përmend në studimin e tij mbi Kosovën (1998) duke sugjeurar asimilimet e vazhdueshme gjuhësore-kulturore ndër popujt e Ballkanit përgjatë historisë. Fenomen që edhe nga dora e parë, njerëzit që jetojnë në sferat kulturore shqiptare mund t’i dallojnë, si rasti i elementeve të asimiluara përbrenda etnisë. Asgjë e jashtezakonshme. Zhvillim organik që ndodh gati përbrenda çdo grupi shoqëror etnik. Sidoqoftë, për atë që më brengos mua, për kulturën e përbashkët të gjuhës të cilës i takoj dhe për të ruajtur kohezionin shoqëror, është e nevojshme të pranohen realitetet e këtyre zërave kritikë, por edhe më e rëndësishme është që ato të rizbulojnë identitetet e veta të shtypura. Qofshin ato kritike ndaj masës apo si në të shumtën e rasteve përkrahëse ndaj narrativave dominante për hir të mbijetesës, pranimit dhe legjitimimit të identitetit të tyre të lakueshëm nga shumica dominante. Në këtë mënyrë, elementet kulturore të masivit shqiptar që dalin nga përzierjet me sllavët, romët, ashkalitë, çerkezët, vllehët, grekët, turqit, e kushdo tjetër, e që janë gjithkund përreth dhe brenda nesh (ka teori edhe për vet prejardhjen e përzier të Ismail Kadaresë), të asimiluar plotesisht apo të lidhur në bazë të elementeve të përbashkëta kulturore si besimet apo tradita të ngjashme, do të mund të fitojnë mundësitë e zhvillimit të lirë përbrenda shoqërisë, pa trazuar ndjenjat dhe pa ofenduar banalisht kulturën kombëtare shqiptare në zhvillim, përkundrazi, duke kultivuar vetëpranimin dhe vetëvlerësimin, e duke luftuar që kjo të pranohet si pjesë e veçantë dhe e mbrojtur, por përbërëse e kulturës së përgjithshme shqiptare. Në këtë mënyrë përpos kritikave klasore dhe kualitative, kultura nuk do të rëndohet me kritika boshe që në vete nuk përmbajnë kuptime thelbësore për ndodhitë dhe figurat shoqërore, por vetëm protesta që në dukje janë banale (në stilin: “Kadare është ateist, e ka sharë Islamin; qeni komunist!!!”), por që në thelb dhe në përgjithësi dalin nga mohime të ngjashme identitare përbrenda shoqërisë, e që medoemos sjell edhe frustrime dhe përgjigje me efekt të kundërt, siç ishte rasti i flirtit banal “të rastësishëm” (i aprovuar nga kryeministri Rama) në ceremoninë e homazheve nëpermjet simbolikave fetare krishtere në krah të Nënës Terezë. Flirt i zakonshëm arsyetues përballë idesë gjysmë-imagjinare të perëndimit krishter të bardhë në kokat e shqiptarëve të munduar nga sundimet e perandorive frontale për t’i dëshmuar këtij subjekti përkatësinë tonë në botën kulturalisht të bardhë evropiane.

Midis ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kombëtar (i bazuar në veçorinë gjuhësore dhe jo në ideologji të kopjuara dhe riprodhuara nacionaliste) dhe shovinizmit të fshehur që e ndjek këtë drejtim, duhet të gjejmë një rrugë paqësore gjithëpërfshirëse njerëzore për bashkëjetesë dhe përparim.



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.