Karnaval për rikthimin e idesë për shtet ekskluziv!

Prej kohëve të vjetra koncepti i karnavaleve, në thelb, është shfaqja e pjesëve të shtypura të individit dhe shoqërisë në një ose disa ditë të vitit, ku bie hierarkia shoqërore dhe në atë manifestim njerëzit performojnë dhe shfaqin personalitete tjera që kanë në vete. “Normaliteti” zëvendësohet me maskat dhe të ndryshmen. Thënë në terme psikanalitike është dita kur nënvetëdija del në pah. Në këto ditë, të gjitha aspektet e shtresuara në nënvetëdije, kanë mundësinë që për kohë të shkurtër të dalin në sipërfaqe pa u etiketuar si çmenduri apo abnormalitet. Si të tilla, karnavalet paraqesin momentet kur zhveshet nënvetëdija kolektive e një popullate, ndërsa simbolizmat që shfaqën janë pasqyrë e besimeve të brendshme të shtresuara.
Filozofi dhe kritiku letrar sovjetik, Mihail Bahtin, duke zbërthyer veprat e Rebljesë dhe Dostojevskit ka përdorur karnavalet e romaneve për të bërë kritikë të fshehur ndaj sistemit sovjetik për të cilën edhe është internuar në pjesët e largëta të “perandorisë” sovietike. Ashtu siç ai ka konceptuar karnavalizimin e letërsisë nëpërmjet analizave të Dostojevskit dhe Rebljesë, ne mund të shohim dhe zbërthejmë karnavalizimin e kulturës përbrenda shtetit, e që na shfaqet dhe rikujton çdo vit nëpërmjet Karnavalit të Vevçanit. Kësaj rradhe, kjo vjen në hap me frymën e re politike, me simbolikë të re të urrejtjes në performimin e pamjeve të aktit barbar të 27 prillit 2017 ku pësoi Zijadin Sela. Këto shpërfaqje publike e ndjenjës së urrejtjes janë tregues për dëshirat e brendshme të njerëzve që performojnë ato akte dhe për përjetimin që kanë për ndodhitë e asaj dite të errët. Diagnoza është e thjeshtë, nje masë e madhe e popullatës sllavo-ortodokse (ky përkufizim është për shkaqe preciziteti përshkrues dhe jo për fyerje) nëse jo publikisht, në vete kanë vlerësim lavdërues për aktin e dhunshëm dhe të shëmtuar të 27 prillit si rezistencë ndaj përfshirjes së shqiptarëve në udhëheqjen e shtetit.
Por prej 2017-s deri më sot kanë patur 7 vite mundësi të performonin një akt të tillë. Pse tani?! Çdokush që jeton në këtë shtet e ka të lehtë ta bëj kalkulimin, sepse çdokush mund ta sheh krekosjen e shovinistave që nga kthimi i vmro-së në pushtet. Nuk do shumë mund. Edhe ne Tetovën Dardane të Lëvizjes Beyza 🤦 mund të shihet qartë kjo atmosferë. Për të marrë një shembull banal, sot ma vrau syrin një “pezho” me kryq e ndalur agresivisht në vizbardha në qendër të qytetit, ndërsa trajtimi në insitucione shtetërore mund të kuptohet edhe më lehtë me rikthimin e politikave të pakuptimta për punësim apo përjashtim nga puna. Ky komoditet është edhe për arsyen që në zgjedhjet e ardhshme lokale masa vmroeske që paramendon rezistencë në Tetovë do të jetë ajo që vendos për kryetarin e komunës kryesore të shqiptarëve në shtet. Ndërsa “patriotat” tanë vetëm do t’i përkëdhelin shovinstucat e vegjël të pollogut deri atëherë.
E gjithë kjo situatë tregon për urrejtjen e shtresuar kulturore ndaj shqiptarëve dhe përfaqësimin e tyre politik, në veçanti kur ky përfaqesim është i qëndrueshëm në mbrojtjen e interesave thelbësore identitare të shqiptarëve siç ishte/është pozicioni politik i Selës. Njejtë si edhe me rastin e djegies së flamurit të Bullgarisë në karnavalin e 2021-shit, edhe e kësaj rradhe, karnevalet do të mbeten rikujtime për realitetin e brishtë, që ndoshta fatmirësisht nuk sipërfaqet përditë. Huston we got a problem! Thjeshtë kemi problem dhe nuk duhet të justifikojmë shovinizmin për hir të shumicës demografike. Por e para, injoranca përfaqësuese politike e shqiptarëve duhet urgjentisht të mësojë bazikën politike që të kuptojë se lufta politike është shteti multietnik dhe jo hisja minoritare në shtet-komb ekskluziv sllav. Nuk jam i sigurt se partitë shqiptare e kuptojnë si duhet këtë detal, e edhe më pak ta besojnë atë.
Është viti 2025 dhe të vazhdohet me urrejtjet e prapambetura nga frika prej shqiptarëve e shndërruar në urrejtje patologjike që riprodhon dhunën e shekullit të kaluar të çetnikëve nuk duhet të kalojë kaq lehtë! Dita e zgjedhjeve është dita kur milioneri e presidenti e kanë voten të vlefshme sa i varfuri dhe personi me nevoja të veçanta. Eshtë një llloj karnivali në vete, karnaval ku dënojmë në mënyrë paqësore demokratike.

*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.