Harta monumentale 3D të dendësisë së popullsisë në tokë
Kohëve të fundit, nën izolim dhe me plot kohë të lirë, kam hulumtuar mbi kartografinë dhe zhvillimet e saj në kohën bashkëkohore. Shkencë, që në shikim të parë duket aq e nënvlersuar, por që në të vërtetë, padyshim, ka qenë dhe mbetet shumë e rëndësishme përgjatë gjithë zhvillimit dhe historisë së njerëzimit.
Shumë rastësisht rashë në punimet e Prof. Alasdair Rae nga Universiteti i Sheffield-it të Anglisë, i cili ka prodhuar harta 3 dimenzionale të tokës ku theksohet dendësia e popullsisë nëpërmjet ngritjes së shtyllave vertikale sipas sasisë së dendësisë të regjioneve përkatëse. Fokusi i hartave është paraqitja e dendësisë së popullsisë në hapësirën tokësore të planetit, pa specifikuar strukturën topografike të saj, në tone sepia dhe të verdha.
Ky projekt filloi si punim i lirë eksperimental mbi dendësinë e popullsisë në Evropë, ndërsa nga përgjijgja e mirë që pati në publik (Twitter), u zhvillua më tutje dhe u kompletua me të gjitha kontinentet e botës. Si i tillë, projekti vazhdon të plotësohet kohë-pas-kohe me sekuenca shtesë.
Punimet janë krijuar nëpërmjet modelimeve në programet QGIS dhe Aerialod duke u bazuar dhe drejtuar nga të dhënat e marra nga Sistemi Evropian i Informateve mbi prezencën dhe shpërndarjen hapësinore të njerëzve në tokë Global Human Settlement Layer (GHSL), të cilat janë të hapura për publik, siç edhe e thekson autori në përshkrimet e tij.
Dendësia e popullsisë më bën të mendoj për mundësinë e tokës për t’i mbajtur e akomoduar të gjithë banorët-njerëz – me këtë mënyrë të vrazhdë të ekzistencës së përditshme – pa e humbur balansin e vet të ekosistemit dhe biodiversitetit. Ky fakt, aspak nuk duket si shenjë e mirë, përkundrazi ndjell ndjenjë pesimizmi dhe defetizmi, sepse sa do që zëra të mendjeve dhe ekzistencave të kthjellta e të urta nga të gjitha anët e globit tentojnë të alarmojnë për këtë situatë urgjente, turmat e njerëzve dhe të strukturave të fuqisë nuk duket se marrin ndonjë mësim e as nuk janë të interesuar për këshillat e tyre. Kam ndjenjën se ky shqetësim serioz për neglizhencë dhe jetë të turbulluar nuk do të hiqet deri atëherë kur udhëheqësitë e shteteve të fuqive dhe organizimeve të mëdha të veprojnë me bindje në drejtimin e duhur, përpara se planetit t’i drejtohet ndonjë vërejtje edhe më serioze se pandemia e tanishme me Covid-19, e cila paradoksalisht, sadopak, ka frenuar këtë rrugëtim kaotik dhe destruktiv të njerëzimit përdrejt një posthumanizmi apokaliptik. Për këto dhe në lidhje me idetë e mia mbi mirëqenien planetare dhe njerëzore shpresoj të publikoj së shpejti një ese prozaike në të cilën kam pasqyruar përgjatë izolimit gati tremuajsh.
Kënaquni me punimet dhe analizoni të dhënat që bartin këto pamje, për mua monumentale, që gjithësesi do të doja të adaptohen në modelim interaktiv me të dhëna shtesë dhe detaje të integruara.
Shtypni në pamjet për rezolucion të plotë.
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.