DEBATIMI PËRJASHTUES NGA KONTEKSTI I GJUHËS SË HAJDEGERIT
nga Remzi Salihu
Puna e përbashkët në klub për mua u bë përditshmëri atipike e stilit dhe perceptimit vlerësues të drejtë, ndaj me kureshtje të pa frenuar nga të tjerët doja gjithnjë ta ktheja imagjinatën time në drejtim të labirinteve të pa shpaluara artistike njerëzore. Brenda këtij rrethi kaq misterioz, njerëzor, fshihen dhe vibrojnë edhe shumë gjëra tjera të dukshme dhe pa dukshme kreative. Pastaj këto gjëra të pa shpaluara sa duhet m’u bënë thërrmija motivuese për të nxjerrë në shesh tipik botën fluturake të Personazhit, atë botën e tij që nuk mund ta pranoj mendja e zakonshme e njeriut mediokër. Secili nga të pranishmit kishin karakteristikat e veta ndikuese dhe përshkruese. Në mesin e tyre praninë e Personazhit tim në Pension e tundonin edhe një deng rrethanash tjerash ditore të egra dhe të pa sistemuara si duhet, sado që shpesh këto maksima mendimesh parabolike e fërkime përfytyruake shantazhuese, jepnin edhe përshtatjen e frymës tendencioze njerëzore që ekzistonte aty. Disharmonia e krijuar e përplaste shqetësimin e Personazhit keq e më keq, megjithatë ai qëndronte përballë këtyre rrethanave i pa gjunjëzuar dhe i pa trembur. Edhe pse prania e tij në klub ishte diskurs i vetmuar i qasjeve bindëse, kureshtja ime për të ishte një nxitje e shumëzuar dhe shumëdimensionale. Aty derdheshin edhe shumë ide dhe komunikime retorike të zëshme, por pa një vendimmarrje të bindshme dhe konkrete për kohën. Diskutohej me orë të tëra për t’u ndryshuar gjërat, por të gjitha ato shkëmbime e propozime mendimesh formale, nuk gjenin shteg të drejtë apo ndonjë finesë gjuhësore adekuate në miratimin e detyrave të pranuara. Merrnin hov të njëanshëm vetëm moskuptimet dhe klithmat reaguese të ndonjërit nga të pranishmit, veçanërisht të atyre të pakënaqurve që sillnin në skenë makthin e lartë të humbësit dhe viktimës së shqetësuar. Madje disa nuk bindeshin fare për ndryshime dhe vendime të përbashkëta të nisura kaherë. Secili kërkonte qeverisje më të madhe se sa mund t’i takonte apo meritonte në realitet. Bile aty krijohej një ambient me mjegullnajë të pa nevojshme diskutimi e kundërshtimi të zbehtë. Bisedat zgjatnin me orë e muaj të tërë. Pakënaqësitë shumëzoheshin për çdo ditë. Në të vërtetë çdo nismë ka edhe fundin e vet të hapur, por nëpër këtë arenë diskutimesh tendencioze të stërzgjatur, nga dita në ditë, Personazhit jeta i bëhej e bezdisshme. Kështu kalonin çastet herë me lajme të mira e herë me të këqija, por ato të mirat nuk i kapërcenin aspak shpresat e iluzioneve të turbullta, kurse lajmet e hidhura në turmë sillnin trishtim dhe frikë nënshtrimi të shpejtë.
Pensioni shëmbëllen në situata horrohesh të papara. Shoqëria jonë shkon drejtë krizës. Ne gjendemi të kapur nga dora e kulturës lakmitare dhe mbështetja e politikanëve të dobët, që shpatat e tyre i vringëllojnë dhe manipulojnë herë majtas e herë djathtas, kurse viktimë e pamerituar në sheshin e ngjarjeve të hidhura bëhet populli. Sunduesit e këtillë me çdo kusht përpiqen ta mbajnë fronin e varësisë së qytetarit. Rinia e pranishme aty, me pakënaqësitë e saja nëpër këtë mjegullnajë hapësire kërkonte rrugëdalje. Ajo vendimet dhe risitë shoqërore donte t’i shoh qartë, nuk pajtohej me ritualin e gjatë të premtimeve boshe dhe joreale që zhvilloheshin aty. Pra, ajo nga ngërçet e sajuara dhe pa perspektiva jetësore lëshonte një nga një vendin për një jetë më të mirë e më të begatë. Ajo nuk mundte ta mohonte apo ta anashkaloj situatën e krijuar, e cila situatë në vete kishte diçka arrogante dhe dhunuese, nga mënyra se si rridhnin ngjarjet nga dita në ditë. Të mirat e kësaj bote nuk je në gjendje t’i çmosh, kur nuk bindesh se ato me të vërtetë ekzistojnë në rrethin tënd. Personazhi ishte i gatshëm që këto ngjarje t’i perceptoj realisht nga këndi i vet i gjykimit, ashtu siç ishin në të vërtetë ato. Megjithatë, pos këtyre shqetësimeve dhe pakënaqësive të shumta të të tjerëve, ai qëndronte me shpresë dhe vullnet të mirë transformimi për të ndryshuar diçka nga jeta dhe kultura e përgjithshme. Edhe pse Personazhit ngjarjet e hidhura dhe mospajtimet ia zhytnin kujtesën hulumtuese deri në pakufi shqetësimi, në zgjidhjen e kësaj çështje të ndërlikuar, ai vendosi të kalit veten edhe me kujdes më të madh, për të frymuar sa më i qëndrueshëm nëpër këto rrethana e barriera të rëndësishme kulturore të kohës. U jepte shumë rëndësi detajeve kundërshtuese shoqërore, sepse prania e dallimeve të tilla në shoqëri sillte përçarje dhe akumulimin e ndjenjës së armiqësisë midis njerëzve. Prandaj ndonjëri prej tyre që nuk do të ishte aq tolerant sa vet ai, nga disharmonia e polemikës dhe fërkimeve të krijuara mund të merrte edhe rrugën arratisë. Megjithatë, Personazhi ishte në ndjenjë të sigurt, që të dallonte dykuptimësitë metaforike të fjalëve të shfaqura aty. Pajtimet dhe mospajtimet e grumbulluara nëpër këtë rrugëtim të nisur i kishte të qarta në vete. Vetëm dashuria e sinqertë për vendin dhe vlera e mirëfilltë njerëzore ia bënte vëmendjen të arsyeshme, në përkujdesje dhe maturi reaguese reale. Pikërisht këtë punë e respektonte duke notuar vëmendshëm dhe me guxim nëpër të gjitha bisedat debatuese, pastaj e kuptonte ironinë dhe frustrimet e panevojshme të ndonjërit që reagonte pakujdes.
Personazhi kishte një urtësi njerëzore të jashtëzakonshme. Dallohej shumë prej të tjerëve të pranishëm që vepronin në kthinën e Pensionit. Humanizmi i veprimit të tij ishte dukshëm. Por në këto çrregullime shoqërore, të pa sistemuara dhe të ngarkuara me probleme e me kundërshti të mëdha, ai më dukej shumë i rrënuar dhe jo aq i lumtur me situatën e krijuar, por megjithatë mundohej ta përballoj atë klimën e mugët me një korrektësi të veçantë angazhimi. Donte të përmbahej nga reaksionet e hidhura, të vrazhda. Pikërisht vëmendjen e përqendronte aty te pakënaqësitë dhe te qëllimet të arsyeshme, ku pastaj do t’u jepte vlerë dhe kahe kërkesave të shumta ndër njerëzore, kryesisht që ta tejkaloj këtë gjendje misterioze shoqërore të ankthshme, të ngarkuar me padurim gjithandej hapësirës së rëndë të performancave debatuese në Pension. Në brendinë e ideve të tij kishte edhe shumë domethënie tjera alarmuese për të mirën e përgjithshme, të cilat fakte të mira argumentuese nuk mund t’i pranonte dhe arsyetonte çdo individ, që nuk e kupton tërësisht syzheun atipik të kohës së mugët politike dhe pikësynimin e tij të dëshiruar për të vërtetën shoqërore.
Qëndrimi konsekuent i personazhit krijonte ndasi në Pension. Padukshmëria e thellësisë së tij kreative për ndonjërin nga të pranishmit ishte tmerr interpretimi, kurse për ndonjërin ishte miklim i mirëseardhur i prosperitetit efektiv shoqëror. Dhe jo rastësisht aty shpaloheshin shtigje idesh me dy taborë ndasish. Pra, nga ana ime e kuptimit të situatës, të gjitha këto kundërshti të sajuara me tendencë interesash, e bartnin atë herë në atë kufi e herë në këtë kufij të informacionit hulumtues, kryesisht për të mbajtur vëmendje të përkushtuar dhe të drejtuar kah një mutacion bazë i ekzistencës qenësore, të njeriut në shoqëri. Të atij njeriu të pranishëm dhe që vepron në jetë dhe në kohë, në një vend të caktuar me shumë ndasi të krijuara, kryesisht për të qenë sa më sublim në mendime dhe sa më atraktiv në ide humaniste, sidomos te ata që përkushtimin e kishin të vendosur në praninë e qenies, te ‘’Dasein’’, në ekzistencë dhe jo në ‘’dort sein’’ të individit në rrjedhat e kohës, që gjuhën mund ta kishin të pakuptueshme, larg asaj të vërtete të kërkuar qenësore. Këtij veprim ekzistencial i jepte rëndësi, posaçërisht, për t’u pranuar sa më i lirë në jetën e përditshme të qasjes së tij serioze. Personazhi vëmendjen e kishte të përqendruar te mënyra e ndërlikuar e situatës kulturore dhe pranisë së vetes në jetë, por jo jashtë rrethit dinjitetit dhe qëllimit të pacaktuar që më parë në shtëpinë e vetëdijes kulturore. E bënte këtë angazhim me synim dhe vullnet të mbarë, mbase për të kërkuar shtimungun dhe gjuhën e vërtetë të shpalimit të qenësisë, mu në atë mënyrën e thellë të ekzistencës së menduar në kohë kthesash politike.
Për Personazhin, prania e vlerës së mirëfilltë njerëzore, e kërkuar në momente ndryshimesh të mëdha shoqërore, ishte gjithçka e lidhur ngushtë me gjuhën e komunikimit dhe në kuptimin e gjërave të shtruara në debat, sepse këtë shkollë dhe teori të Heideggerit, ai e kishte vulosur dhe fiksuar në mendje, si tatuazh të pa tjetërsueshëm perspektive, në rrugëtimin e tij të drejtë, e cila teori, tanimë, në jetë dhe shoqëri do t’i shërbente, si argument dhe alternativë bazë për ta ndryshuar gjendjen e krijuar në vend. Pastaj nga vetëbesimi i ndërtuar të mbetej aty në zbërthimet e thella të rrethanave të grumbulluara, gjegjësisht, si shembull adekuat në shpalimin e së vërtetës ekzistuese. Ndaj kjo përvojë qenësore e kuptimit të çështjes i duhej përherë dhe në çdo situatë veprimi, për të trajtuar në praktikë atë thelbësoren e kërkuar teorike të gjuhës dhe të gjërave të vlefshme që vinin nga thërrmijat elementare të dijes. Kryesisht të veproj me syçelëti e vendosmëri të arsyeshme në qasje. Të kuptojë qenien dhe praninë e ndërgjegjes njerëzore në një vend apo shtëpi kulture të caktuar për mirëqenie. Posaçërisht veprimi i Personazhit anonte aty në ato vendimmarrje serioze dhe gjykime të prera në interpretimin e shkaqeve që i dalin përpara vlerësimit të gjuhës kodeve dhe fshehtësive njerëzore. Bile këtë qëndrim bindës e mbante edhe gjatë kohës së konfrontimeve shkencore të lansuara në biseda e nëpër kuluare që zhvilloheshin e përfliteshin në Pension. Ai qëndronte gjithnjë i papërkulshëm në ato përplasjet e tij filozofike konstruktive, ekzistencialiste, për t’u dalë ballë të gjitha ideve dhe diverziteteve shkencore të kohës, të cilat paraqiteshin nëpër revista dhe nëpër fronte tendencash të shumanshme botërore. Padyshim, gjendja e tij më detyroi të ndërhyja seriozisht në diskutim. Të paktën të rrekesha me synimin e tij të përkushtuar, madje të kuptoj drejtë mesazhin e tij domethënës për qenien, se a ishte qëndrimi i tij vërtet një debat përjashtues apo një qëndrim serioz e konsekuent gjuhësor, i pranisë individuale, si qenie ekzistuese në kohë, me efekt ndërgjegjësimi njerëzor në rreth, kryesisht për t’i debatuar gjërat drejtë në këtë shtëpinë tonë kulturore të përbashkët.
-Dëgjo! – i thash, pa e kuptuar fare se si do të jetë rekcioni i tij.
-Po, jam duke të dëgjuar? – Ai ngriti kokën dhe vëzhgimin e ktheu nga unë, i njëjti vështrim serioz, kureshtar, si atëherë kur ishim takuar përherë të parë në Basel. Vështrim serioz, që krijon simpati njerëzore dhe që duket se i respekton njerëzit e anës së vet kur janë të bindshëm në detyrat dhe vendimet veta të marra.
– Tani më thuaj Vigan, çka mendon? – vazhdoi të më përcjellë me një përkushtim të veçantë.
– E vlerësoj mendimin tënd, por para se të flasësh po ta them edhe këtë shqetësim: vërtetë na ka ngulfatur situata, a ia vlen të merresh me të gjithë të pranishmit në Pension? Ma mirë më vjen të iki kah sytë këmbët, si paraardhësit tanë, që nuk u dihet as nami e as nishani. Bile, kështu do të jem më i qetë në punët e mia, të tjerët më pak do të merren me mua.
– Si i shfleton këto gjërat ti…?
– Siç e sheh, – i thash,- ne nuk mund t’i drejtojmë brirët e dashit. Ne duhet të qëndrojmë këtu në vendimmarrje. Çdo individ deri në fund të jetës së tij, është një libër i palexuar tërësisht. Shko ku të shkosh, herët a vonë njëherë te rrënja duhet të kthehesh. Po të them se një kulturë dhe politikë që ka të bëj me një sistem shoqëror të sofistikuar nuk i ndryshon anomalitë tërësore të qeverisjes së një populli me një shkop magjik. Kjo situatë kërkon përkushtim dhe kohë që të drejtohen gjërat për të mirë. Le të themi se kjo demokracia jonë është një far lloj lirie shoqërore e rëndomtë, por në të kundërtën është një kufizim dhe një përgjegjësi e madhe individuale. Të merresh me politikë dhe kulturë në një popullsi të vogël, si kjo e jona, më duket se është një utopi apo një tragjedi personale. Të mos shkojmë më tuje, por po të kthejmë vëmendjen në organizimin tonë shoqëror, do ta kemi të qartë se secili prej nesh, po t’i jepej mundësia e marrjes së një detyre mund të them se akësecili lakmon të jetë apo të bëhet përherë i pari. Në momentin kur aty nuk e gjen veten të privilegjuar dhe nuk e merr postin e dëshiruar, bëhet kundërshtar dhe krijon grupin partiak të vetin. Shiko sa parti kemi në këtë popullatë kaq të vogël, ku të gjithë njihen midis veti. Ia njohin dhëmbë e dhëmballë njëri-tjetrit. Ato nga dita në ditë shfaqen si kërpudhat. Madje po të hyjmë në kulturë, do të shohim se vetëm në një vend të vogël, si ky i yni, për çdo vit mbinë nga një shoqatë dhe asociacion kulturor. A vërtetë kemi kaq nevojë shoqërore e individuale të lakmuar, për t’u organizuar në këtë mënyrë të vrazhdë? Kemi mbingarkesë të profesioneve. I improvizojmë kërkesat dhe dëshirat tona. Çdo gjë e bëjmë me shumicë dhe me kallaballëk të devalvuar grupor. Nuk ka risi dhe vlera të qëndrueshme për t’u lakmuar. Mendoj se të gjithë jemi jashtë lojës së rrjedhave shoqërore globale. Tani po të them se pse na ndodhin dhe pse na përsëriten neve këto rrethana të këtilla shoqërore, të mosdurimit dhe të mos integrimit të vërtetë. Së pari po ta them se Gadishulli Ballkanik ku gjendemi ne, gjatë historisë ka pësuar padrejtësi dhe përplasje të mëdha. Nga ana tjetër, vendi dhe kushtet klimatike janë të mrekullueshme, po të pashfrytëzuara sa duhet. Mundësitë janë të shumanshme për të jetuar mirë, por të gjithë duan të uzurpojnë sa më shumë leverdi e privilegje pushtimi, për të shfrytëzuar e sunduar tjetrin. Madje në kësi lloj situatash çrregullimi, rrethanat politike bëhen të volitshme për keqtrajtime. Tereni është mjaftë i përshtatshëm për përfitime të shpejta. Politika bëhet fabrika më e përsosur e kësaj ane për të fituar para pa mund e dije, ndaj të gjithë vrapojnë të kyçen në këtë trend kohor politik të brishtë, me qëllim të përfitoj sa më lehtë nga rasti i dhënë. Disa edhe bankrotojnë keq nga ngutja dhe oreksi i pa kontrolluar për të mbërritur sa më shumë e sa më lartë nëpër piramida lakmuese, ofshore të interesit. Industri serioze nuk ka dhe nuk investohet për t’u punësuar popullata. Papunësia dhe politika e njëanshme, jo profesioniste, nxitë mërgimin e rinisë. Ndonjëri nga pamundësia e paaftësisë të jetoj në shoqëri, hidhet nga kati i nëntë, para syve tanë. Media dhe portalet e ndryshme na ngarkojnë për çdo ditë me këto gjëra të hidhura. Ato të bazuara në interes shpesh stimulojnë edhe konflikte. A nuk është kjo situatë që sjell trishtim? Pastaj ka individ që pa pikë ndërgjegje e dhimbje vret apo ther tjetrin midis të rrugës. Këto gjëra ndodhin edhe nëpër vende tjera të Evropës e botës, por këto ngjarjet tonat më duken shumë të hidhura dhe shumë më makabre. Në një numër kaq të vogël njerëzish, të ketë kaq shumë kriminalitet, a nuk është një situatë për t’u shqetësuar? Madje duhet shumë mund e sakrificë që të punohet në edukim për të arritur standardet evropiane. Tani çdo ‘’shengen naiv’’ midis fqinjëve do të ishte i kotë, kur ne jemi të ndarë e të copëtuar në pesë shtete. Për çdo veprim kombëtar duhet një siguri e garantuar, që të mos dështojë ideja dhe plani i dëshiruar. Gjendja sociale e popullatës është e vështirë. Të mëdhenjtë grabitqarë, kështu siç jemi ne të ndarë, shumë lehtë na gllabërojnë ekonomikisht. Bile edhe të asimilojnë, sipas meje, duke zbatuar edhe ndonjë plan të fshehtë ogurzi. Njerëzit zhduken një nga një, pa i vërejtur. Kështu ka ndodhur edhe në të kaluarën, me disa paraardhës tanë, të cilët janë shpërngulur, kah sytë këmbët, të cilët megjithatë traumë kanë bartur në vete edhe sot disa doke e zakone ilire për të mos u harruar, por tanimë të tillët flasin një gjuhë tjetër. Shkaqet janë të shumta pse nuk shtohemi. Shumë gjëra të tmerrshme kanë ndodhur mbi supet e këtyre trojeve, ndaj sot e kemi shumë të rëndë ta gjejmë shtegun e mirëqenies po qe se nuk ndërgjegjësohemi dhe nuk i hapim sytë se kah shkojmë dhe si veprojmë.
Personazhi u zverdhua, sikur t’i kishte rënë shtypja. E kuptova në atë çast se biseda ime e tronditi keq. Në shenjë pohimi e pranoj katastrofën që mund të na ndodh. E kuptoi se ne jemi buzë dështimit nëse vazhdojmë të lakmojmë pushtet, pa bërë shtet social dhe demokratik të shëndoshë.
Ja pra,- u drejtova edhe njëherë kah Personazhi, – sipas meje, kjo e ‘’mirë’’ e hidhur do të na gjejë kur kultura, tanimë, është e rënduar dhe stimuluar nga mediokriteti dhe njerëzit e papërgjegjshëm. Shumë rëndë e ke të ndikosh këtu si njeri i sinqertë. Ajo që të këshilloj të bësh, është e mira t’ia dalësh dhe të kesh sukses vetëm si individ. Je i ri. Largohu nga kjo kasaphanë kulture grupore e klaneve, ku nuk dihet kush hanë e kush pinë! Ti ke aftësi dhe mundësi gjërat t’i shohësh ndryshe dhe t’i orientosh vetë, me dinjitet në drejtimin e duhur, pa ndihmën e askujt. Individualizmi sot është vlerë kohore, por jo asi individualizmi të fryrë, që të ngulesh keq, si disa, nëpër grupe klanore krekosjeje popullsite.
Kësaj here kisha folur shumë dhe pa rezerva, e kur kërkova leje të largohem, Personazhi më hodhi një vështrim kah unë, sikur të kishte hedhur një shtizë nga harku parabolik i synimit të tij mendor, drejtë shënjestrës së pikësynuar të qëllimit të goditur në ‘’Dasein’’. Ai m’u duk, tani, sikur ta kisha prekur në plagën e tij të pa shëruar, e cila po të gërvishtej pahiri, do të shëmbëllente drejtë në atë lëndimin dhe dhimbjen e filluar shpirtërore të kahershme
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.