Atdheu në veprat e Naim Frashërit
Naim Frashëri është njëri ndër figurat më markante të Rilindjes Kombëtare dhe padyshim frymëzuesi më shpresëdhënës për ta nderuar atdheun dhe mbrojtur atë si duhet. Ai kishte mision prej atdhetari dhe poeti që bukuritë e tërësisë së truallit shqiptar t’i përshkruaj me ndjenja dhe sa më figurshëm, duke e kthyer mesazhin e tij sublim dhe shpresëdhënës në himn të përgjithësuar të gjithsecilit. Ky poet romantik dhe njëkohësisht atdhedashës pragmatik shkroi për të gjitha kategoritë e popullit. Ai me një fjalë ishte njeriu i veçantë dhe i pa përsëritshëm i kohës, që donte ta edukonte masën me nivel të lartë civilizues, për ta dashur atdheun ashtu siç ka qenë, siç është dhe siç duhet të jetë. Tërë veprimtaria e tij ka qenë orientim për ardhmërinë e popullit dhe vështirësitë e tij nëpër rrjedhat e historisë.
Si në veprat për fëmijë, po ashtu edhe në ato për të rritur, Naimi Frashëri, i shpalon idetë dhe mendimet pedagogjike e filozofike të tij për qytetarët e asaj kohe dhe gjeneratave që vijnë. Poeti kombëtarë me njohuritë artistike që kishte kultivuar gjatë rrugëtimit jetësor, e ka dëshmuar veten me veprimtarinë e tij konkrete, mbase i shkolluar dhe sprovuar jashtë vendlindjes, posaçërisht, duke njohur edhe shumë gjuhë të huaja, e ka ndërtuar gjuhësisht mirë dhe vëmendshëm gjeografinë e truallit shqiptar, pa lënë papërmendur asnjë pëllëmbë të vendit ku flitej e frymohej shqip. Ai duke hyrë thellë nëpër labirintet e historisë nxjerr në shesh gjurmët e lashta të këtij populli, që mbi supet e tij ka përjetuar tragjedi të shumta. Prandaj jo rastësisht poeti i ka vënë në spikamë të mburrjes personalitetet historike, që kanë vlera të mëdha kombëtare e ndërkombëtare, siç janë: Skënderbegu, Aleksandri dhe Filipi i Maqedonisë, Mehmet Aliun, Markoi Boçarin, Elena Gjikën, etj. Naim Frashëri përmes këtyre figurave me famë botërore ndërton një botë ideologjike interesante për vendin, për të treguar lashtësinë, karakteristikat dhe veçoritë e popullit të vet. Kemi përshtypjen se ky poet i traditës kombëtare betonon në artin e tij poetik shpirtin romantik dhe lirik, me gjërat dhe ngjarjet konkrete të atdheut, i cili atdhe në fokusin e përjetimeve të tij përherë madhështohet dhe mirë trajtohet. Kështu, Naimi, në këtë mënyrë ndërton formulën poetike të konkretizimit të ndjenjës romantike, ku harmonizohet emocioni dhe mendimi, malli dhe dashuria, kryesisht, duke krijuar një unitet artistik të përbashkët. Vokabulari poetik i poezive naimjane latohet bukur me natyrën e vendit, kurse vargjet harmonizohen natyrshëm në minjatur poetike, duke inkarnuar në vete, tingullin ritmin dhe melodinë. Vargjet poetike të tij të duket se në brendi kanë mall të përhershëm, e ndoshta kjo ndjenjë e ky përshkrim melankolik vjen, ngase autori në të shumtën e rasteve gjendej jashtë atdheut.
Naim Frashëri, si mendimtar dhe iluminist, në rend të parë të dëshirave të veta e ka vënë atdheun, kurse gjërat tjera materiale e persona i ka vënë në rend të dytë. Arkitektura artistike dhe kreative e veprimtarisë së tij, është e lidhur dhe ndërtuar me shumë segmente dhe kahe të gjithanshme motivuese, por ky motivim sensibilizues nga aspekti kreativ është shumë i përgjithësuar për lexuesin, sepse brenda tij përfshinë plastificitet të kapshëm shpirtëror romantik, e që në esencë të kapjes figurative bëhet tërheqëse për të gjithë të tjerët, që me kujdes e perceptojnë vazhdimisht krijimtarinë e këtij poeti nga kënde të ndryshme të dizajnimit të saj gjuhësor, vizual dhe atraktiv. Edhe pse ‘’lulet’’ i takojnë simbolit të vjetër të letërsisë botërore, por këto’’ lule e lisa të gjatë’’ te vargjet e Naimit ngërthejnë në vete një ndjenjë sovrane, të lirshme, autokoktone, ashtu siç donë ai ta pispillos e fasadoj artistikisht atdheun e vet të dashur. Edhe pse poeti ka shërbyer nëpër shumë administrata të sistemit politik të kohës, ku edhe ka pasur shumë mundësinë reale për të shfrytëzuar e të ngritur për vete ndërtesa e gjëra materiale të leverdishme dhe të përkohshme, gjoja përfitime të mundshme pasurie të merituara, që dhëmbi i kohës gjatë viteve mund edhe t’i rrëzonte shumë lehtë, megjithatë mundësi që kishte, ai me vetëdije përzgjodhi dhe ndërtoi kullën poetike e ideologjike të tij të lartë, që nuk mund ta shemb asnjë tërmet i kohës nëpër shekuj. Poeti ndërtoi piramidën e ‘’gjuhës së Mëmëdheut’’, e cila për poetin ishte një ‘’Zonjë që mund të të ndritojë’’ nëpër shekuj. Por edukata e tarikatit bektashian nuk ia lejonte poetit këtë luks material të përkohshëm të pasurimit, se brendia asaj bindje të madhe spirituale që e kishte kultivuar dhe edukuar drejtë që nga fëmijëria, shpirti naimjan, qëndronte fortë në kujtesën e tij, si vetëdije edhe më e lartë njerëzore e atdhedashurisë së palëkundshme. Bektashianët përnderojnë mistikët ‘’sufi’’ që janë më të afër shpirtit të tyre, për ata vlerë është ndërgjegjja dhe shpirti i çiltër dhe jo pasuria materiale. Prandaj jo rastësisht në kulturën e shqiptarëve vepra e Naim Frashërit ‘’ Fletore e Bekteshinjet’’ merrej si baza konfesionale e kombit shqiptar
Tërë veprimtaria e poetit ka një taban të theksuar kombëtarë që nxitë dhe aludon tërësisht në individualitetin e përsosur njerëzor, pasi ajo veti njerëzore e ndërtuar në këtë mënyrë të vendosur, shpalon kulturën e intelektualit të ngritur me dije e mençuri, që spontanisht e lidh njeriun me tokën dhe të mirat e saj. Në këtë vorbull ‘’ëndërrimtar’’ e mistik të tij, sensibilizohet shpresa për të ardhmen e vendit dhe atdheu bëhet më afër vetes. Te poezia e Naimit fjala e përzgjedhur poetike zhytet thellë në brendinë e poetit dhe pastaj shpërthen vrullshëm, me rrezatim, si ndonjë meteor i ngulitur në tokë, duke ndriçuar vendin dhe kohën me një lirizëm të ndjeshëm, kryesisht për t’i plotësuar dëshirat dhe nevojat e lexuesit. Kjo mjeshtëri ndikuese e identifikon poetin si të veçantë, dhe ne, tani, si pasardhës të tij, pa veprimtarinë e Naimit nuk do të ishim të plotë në kujtesë, sidomos nuk do të kishim mundësi sublimonin dashurinë për atdheun ashtu siç duhet dhe siç e kërkon nevoja e kohës. Ai na orientoi dhe frymëzoi shumë qartë artistikisht se kah të ngjitemi nëpër rrjedhat e historisë, me fjalë të tjera, Naimi e ktheu mesazhin e tij filozofik në traditë dhe trajtë kombëtare si duam edhe ne.
Një perceptim kozmik dhe artistik të kapshëm për Naimin Frashërin shfaqën edhe shumë poetë pasardhës të kombit, sidomos janë të fuqishme vargjet poetike të Anton Zako Çajupi dhe Lazgush Poradecit, Dritëroit etj. Ata duke e ngritur shumë lartë talentin dhe dashurinë imanente të tij, e cila, pa dyshim, si e tillë ishte tërësisht patriotike dhe e pa zëvendësueshme. Ai ka qenë poet shumë dimenzional dhe me përgjegjësi personale të angazhuar në ngjarjet kohës. Ky disponim real shihet qartë dhe vrullshëm te poezitë ‘’ Gjuha shqipe ‘’ , ’’ Korçës’’,1887, ‘’ Bagëti e bujqësi ’’. Pastaj poeti nga kjo vetëdije menjë frymëzim magjik e kozmik i këndoi natyrës e dashurisë te poema ‘’Bukuria’’ (1980), kurse te poema ‘’Historia e Skënderbeut’’ na fton në një marsh kolektiv e patriotik, të përgjithshëm, për të treguar të bëmat dhe shkathtësitë e mëdha të heroit tonë kombëtar. Këtë poemë të fuqishme poeti e artikuloi rrjedhshëm dhe bukur sipas qasjes historike të Marin Barletit, por menjë gjuhë të përzgjedhur dhe me afinitet ritmik të rrallë, që mban vlera të rralla artistike. Prandaj mund të themi me bindje e fakte se Naim Frashëri është krijuesi romantik më i plotë i Rilindjes kombëtare. Themi kështu pasi veprimtaria krijuese dhe atdhetare e tij është e ngjizur artistikisht dhe përfshihet realisht nëpër të gjitha lëmitë e jetës. Ajo krijimtari bëhet udhërrëfyese e të gjitha gjeneratave për t’i njohur madhështitë e vendit dhe popullit të vet. Nuk ka shkrim dhe varg të poetit, që do të paraqes atdheun të shëmtuar dhe të pa durueshëm, te ai hiperbolizohet gjithënjë dashuria për atdheun dhe gjuhën e këtij populli. Ky romantik i spikatur nuk është si romantikët tjerë evropianë, që donin të largoheshin nga vendet e tyre, për të kërkuar qetësinë e shpirtit, Naimi përkundrazi, duke u dalluar nga ata poetë të njohur, vendosmërisht nuk i adhuronte dëshirat aventureske të romantikëve evropianë e botëror, ngase ai kërkonte e dëshironte gjithnjë që harmonia dhe qetësia shpirtërore të kërkohet në vendin e lindjes. Poeti si ndonjë alkimist i sprovuar e kthen vetëdijen e tij kah bukuritë e paprekura të natyrës dhe vendit të lindjes , i cili vend i ka të gjitha të mirat për të qenë i mrekullueshëm dhe i dashur. Naim Frashëri kërkon me këmbëngulësi nga populli i vet që ta ndërtoj e ndriçoj këtë vend që i ka të gjitha mundësitë për të qenë i kërkuar dhe i preferuar për qetësinë e shpirtit. Kështu, për këtë vend, në një aventurë të çuditshme do të veproj edhe Bajroni, duke ikur nga vendi i vet për të përjetuar madhështitë dhe njerëzit e kësaj toke të veçantë në Ballkan.
Vetëm kultura erudite e Naim Frashërit ka mundur t’i kap këto veçori madhështore të atdheut tij, kryesisht duke e portretizuar dhe personifikuar atë madhështi tokësore artistikisht dhe duke lartësuar atë në mënyrën sa më të kapshme për njerëzit, në rend të parë me qëllim sublim prej atdhetari, e pastaj, si përgjegjësi artistike prej poeti e shkrimtari, duke lënë gjurmë të pa shlyer në vetëdijen e një kombi. Naimi ishte poliglot i përkryer që talentin dhe idetë e veta i artikulon mjaft mirë gjuhësisht, kryesisht duke u bërë edhe burim frymëzimi për të tjerët. Para së gjithash ai ishte letrarë i rafinuar nga njohja e shumë kulturave dhe gjuhëve të huaja (greqisht,frëngjisht, italisht, turqisht, arabisht e persisht, prandaj donte ta latonte artistikisht çdo shprehje e çdo fjalë të gjetur me vëmendje dhe përpikshmëri në thesarin e gjuhës shqipe, por mbi të gjitha, mund të themi bindshëm se Naimi ishte atdhetar i madh dhe i mirëfilltë që derdhte edhe mendime filozofike e pedagogjike për të ndritur strukturën e popullit të vet, në nivelin më adekuat qe e meriton, karshi popujve të tjerë civilizues, ndaj nuk e thoshte kotë mesazhin e tij të përhershëm dhe didaktik, i cili mesazh dhe mendim filozofik pruri në ndërgjegjen e popullit perspektivë dhe prosperitet njerëzor. Naimi thoshte gjithënjë: ‘’mësoni fëmijët tuaj të dinë më shumë se ju se ata janë më tej kohës suaj’’.
Pra, ky poet i ndritur, pak sa edhe mistik e spiritual, gjurmon thellë në qenien e popullit të vet për të nxjerr nga thellësitë e tij lashtësinë dhe pasurinë kulturore, sidomos atë vlerën apo thesaret gjuhësore të lashtësisë ilire e pellazgjike, e cila vlerë ekzistuese ishte e sulmuar vazhdimisht nga fqinjët, por jo edhe aq e panjohur tërësisht, si vlerë, nga popujt tjerë gjatë shekujve. Naimi në mënyrën e stilit dhe qasjes së tij kreative, romantike e idealizuese, na mëson si duhet dhe si mbrohet atdheu historikisht dhe artistikisht. Jo rastësisht quhet dhe cilësohet nga pasardhësit si ‘’mendjeholli, mendje ndrituri, atdhetari, babai i kombit’’, ngase tërë koncepti i vetëdijes së tij ishte ndërtuar dhe fiksuar vëmendshëm në qëllim patriotik, për t’i shpaluar vlerat e mirëfillta dhe ekzistuese të popullit shqiptar.
Naimi Frashëri e ka njohur mirë atdheun dhe traditën e të parëve të vet. Ai kapërcen mbi legjenda, doke e zakone, duke u zhytur me përkushtim e angazhim permanent nëpër fakte historike, vetëm e vetëm për të treguar madhështinë e këtij populli ndër më të vjetrit në Evropë. Prandaj vizioni i tij ka qenë sintezë objektive e kapshme, për të inkarnuar spontanisht filozofinë e tij në edukimin dhe emancipimin e popullit të vet. Si duket nga tërësia e veprave dhe angazhimi i tij, tanimë, na jep të kuptojmë se ai kishte në jetën e tij një mision prej atdhetari devotshëm, e cili mision i ngulitur thellë në vetëdijen e tij, para së gjithash i kishte tatuazhuar të gjitha madhështitë dhe veçantitë e vendit. Përkushtimi i tij ka qenë i qartë dhe është një shembull i mirë individual që hap rrugë për standard të mundshëm të vetëdijes kolektive, kombëtare. Këtë bindje më së miri e dëshmon koloriti i veprimtarisë së tij të bujshme, siç janë: novela ‘’ Katër stinët’’, vjershat lirike “Ëndrrime”, poema Historia e Skenderbeut , “Qerbelaja”, ‘’Fletore e bekteshinjëve (vjersha filozofike dhe fetare), “Lulet e Verës”, “Mësime” dhe sidomos poema ‘’Bagëti e Buqësija’’ , e cila subjektivizon lirizmin e theksuar të shprehjes, duke portretizuar bukur e simbolikisht atdheun si tërësi kolektive, me të gjitha të mirat e tij që ka në trupin e vet. Naim Frashëri me ndjenja të thella u këndon bukurive apo ’’ viseve’’ natyrore të vendit. Poetin nuk e kënaqin metropolet dhe zhurma e qyteteve të mëdha, por malli e kap për shpatet dhe lëndinat, ku ndihet blegërima e qengjit pas nënës së vet. Poeti dhe atdhetari, Naim Frashëri, lirinë dhe kënaqësinë e shpirtit të tij e preferon të prehet pranë atyre lisave e bregoreve të pa prekura nga industria dhe kakofonia e zhurmave të pa dëshiruara jetësore.
*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.