Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 22/02/2025

Scroll to top

KTHEHU LART

Përkthimi si art ndërmjetësimi letrar dhe kulturor

Përkthimi si art ndërmjetësimi letrar dhe kulturor
Remzi Salihu

1.

Përkthimi letrar është një mundësi e mirë kreative dhe punë efektive, që kërkon efikasitet, shkathtësi, njohje dhe balancë të kujdesshme në bartjen besnike të asaj që përkthet, e cila, punë e mirë komunikative, parasëgjithash të avancon në çdo kohë e situatë të caktuar. Dëshira e madhe e prurjes së tekstit nga origjinali i krijuar, drejt adaptimit ose përshtatjes së saj sa më të afërt, në një gjuhë tjetër të re, është një punë e rëndë njohjeje e dijeje, që kërkon magji kreative, me përkushtim të përhershëm. 

Gjuha gjatë historisë së njerëzimit brenda qenies njerëzore ka mbijetuar nga vullneti, dëshira, sakrifica njerëzore e shoqërore, e mbrojtjes së saj si nevojë kureshtare, për ta avancuar dhe për ta bërë të njohur atë, si kulturë sublime midis marrëveshjes së nëri-tjetrit. Madje ajo ka tentuar të përsoset dhe të vë ura bashkëpunimi brenda këtyre marrëdhënieve të ndryshme njerëzore dhe kërkesave të nevojshme të përshtatjes, adaptimit, integrimit të tyre, me ndonjë vend tjetër, të huaj e të dëshirueshëm. Përkthimi bëhet baza dhe udhërëfyesi kryesor i njeriut, për të ekzistuar e për t’u përshtatur në një kulturë të re, e cila do t’i shërbejë gjatë tërë jetës për ta afirmuar edhe më shumë kulturën dhe gjuhën e vet të kufizuar, të mbyllur, përtej kufijve të caktuar ekzistencial të territorit të vetë.

2.

Mjeshtëria e dijes gjuhësore në një vend e hapësirë të huaj, aty ku nuk flitet e njejta gjuhë e përdorur, si armatim mbrojtës ka përkthimin. Përkthimi bëhet mjeti i sofistikuar i ngjeshjes dhe kërkimit të diçkaje të panjohur diku tjetër, në një vend e hapësirë të huaj, aty ku nuk flitet e njëjta gjuhë e përdorur, por që mbërthen në vete tjetër traditë e kulturë të adaptuar. Gjuha e huaj si nevojë dhe si material i panjohur sa duhet, është një art i koduar i dëshirës dhe kërkesës së njohjes së përkthyesit, si specifikë e kultivuar e dijes së tij, që kërkon ushtrim të përhershëm dhe përvojë të madhe kreative, komunikative. Ajo sipas veprimit dhe rëndësisë që ka në vete, për komunikim të ndërsjellë, ka edhe kërshërinë kulturore që mjeshtërisht duhet të ndikojë edhe në formësimin e saj adekuat, nëpër viset e kulturave të ndryshme, për të komunikuar bukur, rrjedhshëm, lirshëm dhe me efikasitet të kapshëm. Nëse i përmbahemi dhe e trajtojmë vëmendshëm argumentin e strukturalistit Roman Jakobsonit se nuk ka shenjë pa kuptim, jemi të detyruar të pranojmë sprovën tonë, se çdo gjë ka kuptimin e vetë. Në këtë drejtim atëherë jemi të detyruar të themi se përkthimi ngërthen në vete edhe një nivel interpretimi.

Prandaj përkthimi është një akt i rëndësishëm kulturor i leverdishëm për njerëzit e ndryshëm të rruzullit tokësor. Dhe ky akt i nevojshëm, i pranuar dhe përhapur vëmendshëm kështu, bëhet edhe ndërmjetësuesi më i mirë për t’u njohur kulturat midis vetes. Gjuhëtari Jakobson ka dhënë një teori tripjesëshe, më 1959 në eseun “Mbi aspektet gjuhësore të përkthimit”, për të na lehtësuar angazhimin tonë në fushën e përkthimit.

Të gjithë ata njerëz që janë përkushtuar të përkthejnë,  marrin rolin e guximshëm të afrojnë njerëzimin në mënyra të ndryshme njëri me tjetrin. Përkthyesi bëhet urë kaluese, apo ndërmjetësuesi efikas, kryesor që ndihmon bashkëpunim në shkëmbimin e ideve, gjuhëve dhe vlerave letrare kulturore të një populli me një popull tjetër. Kjo urë lidhëse e nevojshme dhe atraktive për njohje, ndërmjet gjuhëve e kulturave ndërton dhe artikulon mirëkuptimin global të njerëzimit. 

Me anë të përkthimit permanent mësohen fjalë, koncepte, ide, stile dhe shkathtësi tjera të veçanta, nga një gjuhë origjinale në gjuhën e përkthyer. Tërë ky proces mundëson indirekt ta pasurojë edhe një gjuhë apo letërsinë tjetër për veçori që nuk i ka patur shoqëria të njohura më parë. Aty hetohen dhe pranohen ato veçanti gjuhësore e kulturore, doket dhe zakonet që na hyjnë në shërbim të përhershëm gjatë jetës. 

Përkthyesit duke u përkushtuar seriozisht dhe në mënyrë permanente, gjatë punës së tyre kreative,  përballen edhe me vështirësi e sfida të ndryshme profesionale, gjegjësisht duke avancuar shkathtësi gjuhësore artistike të përshtatshme dhe të kuptueshme, për të mos u humbur origjinaliteti dhe efekti stilistikor e kuptimor. Sepse gjatë përkthimit hasen pengesa stilistike të formave të ndryshme sintaksore të veçanta gjuhësore. Çdo gjuhë ka karakteristikat dhe nuancat unike të saja, që sjellin vështirësi të shumta dhe mund të mos përkthehen ashtu siç duam ne, lehtë dhe shpejtë. Mbase ekuilenca e përkryer midis gjuhëve bëhet e pamundur kur përballemi me ndryshime strukturore dhe kontekstuale, bile nëse hyjmë më thellë, në kërkesa absolute të përkthimit, jemi të pafuqishëm ta arrijmë atë çka duam. Sepse kërkesa jonë do të të shkojë aq lartë sa do të dëshironin edhe ta fotografojnë njërën ose tjetrën gjuhë, për të qenë absolutisht të afërta.

Brenda një teksti të përkthyer, qoftë ai të jetë në prozë apo në poezi, puna dhe kërkimi na fokuson të përballemi me frazologjizmat, shprehjet, metaforat, shenjat, simbolikat e ndryshme që nuk janë ekuivalenca të drejtpërdrejta me gjuhën që përkthejmë. Në këtë ndërmarrje paraqiten referenca kulturore të panjohura për lexuesit e synuar, prandaj janë mekanizmat dhe teknikat ndihmse të shpjegimit apo të përshtatjes së shprehjes, kryesisht për t’u qartësuar mirë gjërat e pakuptueshme, dhe kjo është ruajtja e kontekstit kulturor të shprehjes që ekziston brenda tekstit origjinal. Problemi përherë del te ruajtja e fjalës për fjalë të tekstit dhe shkathtësisë kreative të krijimit të një përkthimi adekuat që ruan fshehtësinë e kuptimit dhe efektin emocional të duhur.

Në këtë aspekt jepen mundësi dhe hapësirë njohjesh të ideve dhe shkathëtësive të shumta nga autorë e vende të ndryshme.

3.

Përkthimi dhe komunikimi njerëzor, si proces njohjeje, ka një histori të gjatë. Deri sa njerëzit lëvizin nga një vend në vendin tjetër, sfida e parë që u dilte ishte nevoja njohjes gjuhësore dhe komunikimi midis tyre. Për t’u njohur dhe komunikuar midis tyre u duhet dija e gjuhës si element bazë, për t’u marrë vesht, që t’i kryejnë nevojat dhe shërbimet e tyre më lehtë e më shpejtë. 

Sot teknologjia është zhvilluar aq shumë saqë njerëzit shumë më lehtë e kanë gjetur rrugën e vet për të folur e komunikuar njëri me tjetrin edhe pa e ditur gjuhën e njëri-tjetrit. Vet teknika aplikative ua lehtëson dhe ua mundëson shpejtë njohjen dhe komunikimin bindshëm. Pos këtyre gjërave elementare, teknike, tanimë dinamika e jetës i kërkon edhe shprehitë funksionale të njohjes për të arritur në qëllimin e caktuar të jetës. 

Përkthimi letrar për nga pesha që ka, mundëson përhapjen dhe shpërndarjen e veprave të shumta nëpër kultura të ndryshme. Ky veprim sublim duhet të bëhet në mënyrë të kujdesshme, që materialet e përkthyera të jenë sa më të kapshme për lexuesit jashtë kulturës origjinale. 

Shumë herë përkthyesi ndeshet me rregulla e elemente gjuhësore të vështira, mbase ka struktura dhe specifika gjuhësore me rend fjalësh dhe shprehjesh të ndryshme, kundrejt gjuhës që përkthejmë, ndaj na komplikohet shpesh në këtë ndërmarrje muzikaliteti, ritmi dhe si zakonisht rrjedhshmëria kuptimore e nevojshme dhe adekuate. Prandaj përkthyesit vihen në vështirësitë kontradiktore të autorit të përkthyer në njërën anë dhe në tjetrën anë të botuesit dhe lexuesve që e përcjellin një krijim të panjohur deri më tani. Përherë duhet të kihen parasysh specifikat gjuhësore dhe kulturore, që mundësisht të kuptohen domethënjet e fjalëve në kontekst të asaj fjalie apo vargu të përdorur, mbase një fjalë mund të ketë shumë kuptimësi sipas asaj që renditet në domethënien e dhënies së mesazhit të vetë dhe duhet të kërkohet sinonimi i fjalës adekuate që kuptueshmëria të bëhet më bindëse dhe më afër origjinalit. 

Prandaj kur përkthehen vepra letrare, qoftë poezi apo prozë, duhet të shihet fleksibiliteti kreativ i asaj që përkthen. Por mënyra më e mirë e kësaj çështje është, kur të merren të përkthehen vepra letrare, përkthyesi të jetë vetë krijues dhe të dijë se si t’i bartë shprehjet dhe fjalët sa më mirë, për të mos e humb parasëgjithash teksti i përkthyer efektin e origjinalit. Njohja e shumë gjuhëve, por në veçanti njohja e kulturave mes të cilave ndërmjetësohet, përkthyesit ia lehtëson edhe më shumë punën e tij dhe merr vendime më të lehta, për të sjellë gjuhësisht krijimin e dëshiruar në një nivel sa më të lartë e cilësor estetik, duke adaptuar edhe intertekstualitetet dhe referencat e veçanta të palëve. 

4.

Tani shkas i këtij shkrimi teorik për përkthimin, u bë te unë një koment i dhënë nga shkrimtari Ismail Arsllani, për një poezi të përkthyer nga gjermanishtja. Po ashtu nga kjo problematikë e përkthimit, si mirëseardhje më erdhi, edhe një koment e nxitje tjetër pozitive nga poeti Sermet Sulejmani, i cili poezinë e përkthyer e kishte lexuar në një përkthim të dikujt tjetër, në serbokroatisht, kurse vargjet e përkthyera në shqip nga unë, sipas përshtypjes së Sermetit, i kishin tingëlluar shqip më bukur dhe më afër origjinalit. Komplimentet e tij të sinqerta për përkthimin e arrirë, e ngacmuan edhe më tej vëmendjen time për të kuptuar se sa rëndësi ka puna e përkthyesit, nëse përkushtohemi seriozisht për këtë veprimtari të nevojshme. Pastaj për mua këto komente u bënë pasqyra shtytëtëse dhe motivuese teorike, për të shkruar edhe këtë punim frymëzues, për rëndësinë e përkthimit dhe për ato problematika që duhet trajtuar e patur kujdes gjatë rrugëtimit jetësor në kultivimin e gjuhëve të huaja. Ndoshta këto komente mund t’i quajmë sot edhe si dromca ditaresh të mundshme kreative, për frymëzimet dhe temat tjera të preferua dhe trajtuara. Apo mund të mbeten si skica mendimesh të ndryshme për ndodhitë tona në të kaluarën, në kohë dhe hapësira të caktuara veprimi. 

U jam mirënjohës miqve të mi krijues, Ismail Arsllanit dhe Sermet Sulejmani! Është vërtetë ajo që thonë ata për përkthimin tim, se janë bazuar në diçka të verifikuar, por unë tani do të shtoja edhe këtë përvojë time se për të përkthyer poezitë në një gjuhë të huaj duhet t’i njohësh të dy gjuhët mirë. Por përherë paraqiten vështirësi të mëdha gjatë përkthimit. Mbase gjuhët e ndryshme i kanë edhe frazologjizmat dhe shprehjet e veçanta të tyre që duhet përkthyesi ti di apo t’i ketë parasysh. Më vështirë është kur përkthehet nga gjuha amtare në ate të huaj, ngase njeriu nuk mund t’i dijë gjërat qind për qind. Në këtë aspekt shumë më rëndë është kur përkthehet poezia se sa gjërat tjera që janë më pak precize, ngase gjuha poetike ka finesat e veta delikate, për të arritur apo bartur artistikisht mesazhin e duhur të atij motivi të shprehur, ndaj ngandonjëherë dalin proble shqetësuese në gjetjen e fjalës adekuate dhe në ato vështirësi të papritura dyshuese, detyrohemi të bëjmë përshtatjen e duhur me ndonjë sinonim të përafërt. 

Akti i përkthimit është sikur ta kthejmë batanien në anën e kundërt të saj, pamja nuk del krejtësisht e njejtë, por është e përafërt, e njejta batanie që të ngrohë. Kur jemi te përgjegjësia e përkthimit na imponohen edhe detyrime tjera të shumta profesionale, apo format e përkthimit që Jakobsoni i veçon, siç janë (1) përkthimi brenda-gjuhësor (përshtatja apo shpjegimi i një koncepti me fjalë tjera në të njëjtën gjuhë), përkthimi ndërgjuhësor (apo përkthimi tradicional i mirëfilltë) dhe përkthimi ndërsemiotik apo interpretimi i shenjave verbale përmes sistemeve jo verbale të shenjave tjera duke i përshtatur gjërat (siç mund të jetë përkthimi i një poezie në një punim të artit figurativ).

Pas të gjitha këtyre vështirësive që paraqiten, përkthyesit kanë një përparësi të mirë se gjatë kësaj pune atraktive dhe me interes të dyfishtë, mësohen të shkruajnë edhe më mirë në gjuhën e tyre. 

Në shumë raste fjalët, shprehjet, përdoren gabimisht dhe me kuptime të ndryshme, gjatë të folurit. Sa për ilustrim po jap një shembull nga përditshmëria e jetës sonë. Shpeshherë e përdorim fjalët  “Zimmer dhe zurück”

që do të thotë: “dhomë” dhe “prapa”, këto fjalë, ne në gjuhën tonë i përdorim ose janë përdorur edhe me kuptim ndryshe. P. Sh. “E kam “cimer” një shokë, ose i themi kalit “cyrik”. Ose fjalën tjetër “Geliebter/e”, që do të thotë: i dashur, e dashur, e që në zhargonin kuptimor të gjuhës shqipe e kemi marrë këtë fjalë në konotacion negativ “gelipter”, “mangup”, joserioz, rrugaç etj. Sa për humor e ilustrim të kësaj problematike, në këtë drejtim të gjetjes së fjalës së përshtatshme apo adekuate, nëpër biseda raste të ndryshme, po ua tregoj një ngjarje që i ka ndodhur një “Gastarbeiterit” (“gurbetqarit”) në Austri. Një shqiptar i Kosovës dhe një shqiptar nga Maqedonia e Veriut kanë punuar së bashku në një kantier ndërtimtarie. Një ditë prej dite shefit të tyre i vdes babai, dhe këta dy shqiptarët që punonin aty bashkë, për t’u treguar të sjellshëm dhe fisnikë ndaj pronarit, konsultohen midis vetes se si të shkojnë për ngushëllim te shefi tjetër junior. Ky shqiptari nga Maqedoni e Veriut, i thotë shqiptarit të Kosovës: – mirë ne do shkojmë për ngushëllim, por para se të nisemi andej, si t’ia themi atij gjermanisht ngushëllimin? Kosovari pa u kujtuar gjatë, i thotë se këtë punë e kemi të lehtë, mos u mërzit, do i themi: “kryeshëndosh” dhe gjermanisht është:

“Kopfgesund”. 

Mbasi vendosën të shkojnë një ditë të piqen te shefi tyre, njëri pas tjetrit, në hyrje te shtëpia e shefit të tyre, i thonë shefit të tyre të ri: “Kopfgesund! Kopfgesund!” Pronari pak si i shqetësuar nga dhimbja dhe papritshmëria e këtyre fjalëve të dëgjuara e dedikuara nga punëtorët e tij, ua kthenë përgjigjen shpejtë: “Ja, ja mein Kopf ist gesund” (po, po, koka ime është e shëndoshë), kështu nga kjo atmosferë zymtësie, u kthye gjendja në situatë qesharake, pasi fjala “Kopfgesund” nuk ishte termi adekuat, në këtë moment i përshtatshëm, për të dhënë ngushëllimin e duhur. 

Për ta kuptuar krejtësisht këtë situatë dhe sa vlerë ka njohja e gjuhës së huaj mirë, duhet të dihet saktë fjala apo shprehja e përdorur në një moment të caktuar përdorimi. Prandaj shprehja apo fjala “Beileid”, “leid”, do të ishte fjala klishe, por e përshtatshme e gjuhës gjermane, për të dhënë ngushëllimin e duhur. Kështu më saktë mund të thuhet: “Mein herzliches Beileid” (pranoni – dhimbjet e mia të përzemërta)  ose “Es tut mir leid” (më vjen keq), etj, etj. 

Njohja e dallimit kuptimor midis përzgjedhjes së fjalëve për shprehje të ndryshme në vete përbën dallim antropoligjik dhe kulturor për të cilin përkthyesit duhet të jenë të vetëdijshëm dhe kompetentë.



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.
Më të reja

Ky është artikulli i fundit.