Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

altereffekt. | 22/01/2025

Scroll to top

KTHEHU LART

KNEECAP (2024)

KNEECAP (2024)
Taulant Salihi

(Soft spoiler alert!)

“every 40 days an indigenous language dies!”

Periudhat e festave shpeshherë janë hapësirat kohore kur na jepet mundësi për të shijuar krijime të ndryshme artistike, qofshin ato libra, filma, apo edhe vazhdim të kërkimeve hulumtuese për të kultivuar nevojat tona estetike dhe ato të diturisë. Mua shumicën e kohes më ndodhë të lexoj tekste e botime studimore dhe hulumtuese, por është kënaqesi e veçantë leximi i ndonjë romani apo tregimeve sepse më japin çlirim nga bota analitike e kërkimeve. E njejta ndodhë edhe me prodhimet filmike, muzikore apo vizita e ndonje opere, performance skenike, apo edhe ndonjë prodhimi të arteve pamore apo konceptuale në ndonjë galeri apo hapësirë të improvizuar.

Edhe pse fillimisht preferoj leximin e romaneve, këtë periudhë me iniciativën e Trimes kemi pa shumë filma, ndërsa se fundmi pamë sugjerimin e Artës, prodhimin filmik Kneecap (2024) të hip hop treshes irlandeze me emrin e njejtë, e që ishte një befasi e këndshme filmike dhe muzikore, por më rëndësishmja socio-kulturore dhe politike — në veçanti si shqiptar nga RMV e ish-Jugosllavive (socialiste e mbreterore).

Një komedi-dramë me regji nga Rich Peppiatt, që tregon ngritjen e hip-hop treshes irlandeze Kneecap nga Belfasti i Iralndës (së Veriut), me anëtarët e grupit, Mo Chara (Naoise Ó Cairealláin), Móglaí Bap (Liam Óg Ó hAnnaidh) dhe DJ Próvaí (JJ Ó Dochartaigh) në rolet kryesore duke portretizuar veten dhe një pjesë të jetës dhe sfidave të tyre politike dhe sociale.

Rrëfimi i tregimit përqendrohet në formimin dhe ngjitjen e grupit, të vendosur në sfondin e peizazhit kompleks socio-politik të Irlandës së Veriut. Në të janë qendrore temat e identitetit, ringjalljes etnike-kulturore, mbijetesës së gjuhës indigjene irlandeze dhe luftën për të siguruar pranimin dhe konzervimin legjislativ të saj, duke vënë në theks se kjo gjuhë në zhdukje, sot, flitet vetëm nga 80,000 njerëz, prej të cilëve vetëm 6,000 janë në Irlandën e Veriut. Kësisoji filmi prek detale të ndërlikuara të konfliktit të vjetër me Mbretërinë e Bashkuar, duke dhënë edhe perspektivën individuale në zhvillimet dhe betejat historike të irlandezëve duke përzier humorin me ndodhi dhe realitete prekëse.
Përzierja unike e muzikës, kulturës dhe politikës në film ofron një perspektivë të re mbi identitetin bashkëkohor irlandez verior. Portretizimi energjik i filmit kap frymën rebele të grupit, duke përcjellë në mënyrë efektive kundërshtimin e tyre kundër normave kulturore dhe politike.

Ju rekomandoj ta shihni dhe të ndjekni treshen Kneecap!

TRAILER:



*Marrja e përmbajtjeve të plota apo pjesore të artikujve lejohet vetëm me shtimin e referencës për postimin origjinal në blog.